Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla, ndodhet në Selanik, ku pa nga afër në zyrat e postës DHL procesin e shpërndarjes së fletëve të votimit për zgjedhjet e 11 Majit.
Balla theksoi se vota e diasporës është një moment historik për Shqipërinë europiane dhe i bëri tirrje operatorit DHL të respektojë kontratën me KQZ, pasi sipas tij nuk do të tolerohet asnjë sorollatje për bashkëatdhetarët në diasporë.
“Kompania ndërkombëtare DHL duhet të përmbushë një më një detyrimin që ka nga kontrata me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pra me shtetin shqiptar. Nuk mund të tolerojmë asnjë sorollatje të bashkatdhetarëve. Kemi paguar si shtet postën vajtje-ardhje dhe duam shërbimin siç duhet ta garantojë reputacioni ndërkombëtar i kësaj kompanie dhe të mos shfajësohet pas nënkontraktorëve”, tha ministri Balla.
Në deklaratën e tij nga Selaniku, Balla njofton se çdo qytetar ka të drejtën të zgjedhë vetë orën dhe vendin e dorëzimit përmes linkut që u është dërguar dhe u kujton se posta është e parapaguar nga shteti shqiptar. Në rast se qytetarët nuk arrijnë ta marrin në dorëzim në përpjekjen e parë, postierët do të bëjnë deri në dy tentativa të tjera për t’ju kontaktuar.
“Më shumë se gjysma e fletëve të votimit në diasporë kanë mbërritur tek ju. Shërbimi postar DHL ose nënkontraktorët po ju njoftojnë me një SMS ose email për t’ju informuar se dërgesa nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbërritur (pra zarfi me fletën e votimit). Ju mund ta ndryshoni dhe ta caktoni vetë datën dhe orën e dorëzimit sipas kohës dhe mundësisë tuaj, në linkun që DHL ju ka dërguar me SMS ose me email. Klikoni linkun dhe ndiqni instruksionet. Ju mund të shkoni ta tërhiqni në zyrën më të afërt apo një zyrë që e caktoni ju të shërbimit postar DHL. Në rast se ju nuk e keni parë mesazhin SMS apo email, postieri do të tentojë edhe dy herë të tjera të lidhet me ju për dorëzimin e zarfit”, shprehet Balla.
Në përmbyllje të mesazhit, Balla falenderoi votuesit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen që po i japin demokracisë shqiptare dhe rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.