Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se vendet e Bashkimit Evropian mund të fillojnë vaksinimin për koronavirusin para fundit të vitit 2020.
Përmes një postimi në Twitter, Von der Leyen shkruan se po punohet me shpejtësi për të autorizuar vaksiant për COVID-19.
“Çdo ditë është e rëndësishme. Ne punojmë me shpejtësi të plotë për të autorizuar vaksinat për COVID-19. Unë i mirëpres lajmet e Agjencisë Europiane të Barnave që parashikojnë takimin për të diskutuar vaksinën Pfizer-BionTech para Krishtlindjeve. Evropianët e parë ka të ngjarë të vaksinohen para fundit të vitit 2020”, shkroi Ursula von der Leyen, në Twitter.
Kjo deklaratë pasoi vendimin e rregullatorit të barnave të BE-së për të sjellë aprovimin e mundshëm të vaksinës së koronavirusit Pfizer/BioNTech, deri më 21 dhjetor.
Nëse miratohet, vendet e BE do të fillojnë vaksinimet menjëherë pas miratimit zyrtar nga Komisioni i BE. Ky veprim është formalitet nëse EMA lëshon rekomandim pozitiv për vaksinën./Opinion.al