Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka bërë një analizë të pushtimit rus të Ukrainës në Parlamentin Europian, duke e përshkruar atë si një betejë midis “sundimit të ligjit dhe sundimit të armës”.
Ursula von der Leyen paralajmëroi se BE-ja nuk do ta pranojë kurrë pikëpamjen se Ukraina nuk ka të drejtë të ekzistojë dhe dënoi “agresionin ” e Presidentit Putin kundër vendit.
Ajo tha se nëse Moska po kërkonte të përçante komunitetin ndërkombëtar, në fakt kishte arritur të kundërtën, duke përmendur koordinimin e bllokut dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë..
Sipas saj BE-ja reagoi “me shpejtësinë e dritës” për të ofruar paketën më të madhe të sanksioneve në historinë e unionit, e cila do të shkaktojë një dëm të rëndë në ekonominë ruse.
Von der Leyen iu drejtua me tone të larta edhe oligarkëve rusë: “Mos bëni gabim, ne do të ngrijmë asetet tuaja, qofshin jahte apo makina të bukura”.
Ajo bëri gjithashtu një dallim midis Kremlinit dhe popullit rus.
“Ka një Rusi tjetër, përveç tankeve të Putinit, dhe ne i shtrijmë dorën tonë të miqësisë kësaj Rusie tjetër”, tha ajo./Opinion.al