Revista ndërkombëtare “Vogue”, kësaj here ka ardhur me një temë shumë delikate, që arrin të ngrejë fuqinë e gruas në majë.
“Le të flasim për përdhunimin: Fotografitë si testament, rezistencë dhe riparim”, është i quajtur projekti i “Vogue”.
Ka për qëllim t’u japë vëmendjen e duhur të gjitha atyre grave që mundën të ngrenë zërin e tyre si të mbijetuara të sulmeve seksuale.
“Ka plagë aq të thella sa gjuha nuk mund t’i shprehë. Përdhunimi është një prej tyre. Ai hesht me forcë, e më pas me turp, duke i lënë të mbijetuarat të izoluara jo vetëm në dhimbjen e tyre, por edhe në pamundësinë e tyre të perceptuar për të folur për të. ‘Le të flasim për përdhunimin’, është një projekt afatgjatë nga fotografja dhe aktivistja Jadëiga Bronte, që përballet me atë heshtje me qartësi radikale, duke krijuar një hapësirë ku dëshmia dhe solidariteti bashkohen”, shkruan “Vogue”.
Mes 250 grave që kanë thyer heshtjen, është dhe një shqiptare e Kosovës, Vasfije Krasniqi Goodman. Ajo është një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
E veshur me veshje tradionale, e ulur këmbëkryq, e duke bërë me duar shqiponjen dykrenare… kështu shfaqet në foto Vasfije Krasniqi Goodman. Një foto e thjeshtë, por që tregon shumë se pavarësisht vështirësive dhe tmerreve të kaluara, ajo nuk e humbur në asnjë moment dashurinë për atdheun e Shqipërinë.
Vasfije Krasniqi Goodman është ish-deputete e Parlamentit në Kosovë dhe aktiviste e të drejtave të njeriut dhe mbijetuese e krimeve seksuale të luftës. Në moshën 16-vjeçare, Goodman u rrëmbye dhe u dërgua në një fshat të vogël ku u bë viktimë e dhunës seksuale. Pas kësaj përvoje të saj, ajo do të bëhej e mbijetuara e parë e krimeve seksuale të luftës në Kosovë që do të fliste para autoriteteve dhe do të ndante historinë e saj me botën.
Ajo ishte vetëm 17 vjeç kur dëshmoi në Kombet e Bashkuara dhe është një nga afërsisht 20 mijë të mbijetuara të përdhunimit gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës. Ajo ka dëshmuar gjithashtu para Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, në një seancë dëgjimore të titulluar “Viktimat e Luftës në Kosovë: Kërkimi për Drejtësi”, duke thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të shtyjnë për drejtësi për viktimat e krimeve të luftës. P.Gj. /tvklan.al