TIRANE- Romana Vlahutin e investuar këto ditë për gjetjen e konsensusit mes politikanëve shqiptarë për reformën në drejtësi, thotë se pa të, qeveria duhet ta harrojë hapjen e negociatave me BE.
“Progresi në këtë fushë është me rëndësi për të ardhmen evropiane dhe per hapjen e negociatave”, tha ajo gjatë një takimi me misionin EURALIUS.
“Reforma e Drejtësisë nuk do të mbarojë me miratimin e paketës kushtetuese, por aty do të fillojë. Zbatimi i reformës do të jetë një sfidë e madhe dhe një numër i madh aktesh legjislative janë në proces ndryshimi apo hartimi”.
“Dialogu dhe diskutimi kanë rëndësi kritike për suksesin e reformës, askush nuk pret të ketë marrëveshje të plotë mbi gjithçka, por në një demokraci është shumë e rëndësishme të shkëmbehen mendime për të kërkuar zgjidhjet më të mira”, tha diplomatja e BE.
Vlahutin foli në nisje të një takimi për reformën që po mbahet në Ministrinë e Drejtësisë ku janë të pranishëm përfaqësues të EURALIUS, kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, kreu i Komisionit Ad hoc për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, Avokati i Popullit, Igli Totozani, përfaqësues të shoqatës së prokurëve dhe gjyqtarëve, ekspertë etj.