28 persona në kryeqytet ranë pre e vjedhjes së të dhënave personale përmes rrjeteve sociale në vitin 2021. Për të njëjtën vepër penale në 3 mujorin e parë të 2022, në Policinë e Tiranës janë referuar 12 raste. Në pjesën më të madhe të rasteve hetimet kanë zbuluar se pas kësaj veprimtarie fshihen shtetas të huaj.
Por cilat janë mënyrat e vjedhjes së të dhënave personale përmes rrjeteve sociale? Në Facebook, përdoruesit që e kanë të lidhur adresën e tyre me email në Yahoo, u shkon një email në gjuhën angleze. Në të thuhet “nëse nuk dërgoni të dhëna të adresës tuaj të emailit, emaili juaj për 48 orë do mbyllet”.
Përdoruesit që bien pre e këtij mesazhi, dërgojnë të dhënat dhe për 3-4 ditë ata nuk kanë më akses te adresa e tyre.
Një mënyrë tjetër e përdorur është përmes aplikacionit WhatsApp. Duke i marre aksesin e llogarisë së një individi, i shkruajnë personave të tjerë duke u kërkuar kodin 4-shifror që u shkon në telefon. Dhënia e kodit i humb atyre menjëherë dhe mundësinë për të patur akses në Whatsapp.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të dhënat e përftuara dhe llogaritë e rrjeteve sociale në pjesën më të madhe përdoren për të reklamuar para virtuale për Forex apo Bitcoin./ Tv Klan