Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se të mërkurën do të vizitojë qytetin El Paso në Teksas, pas një incidenti me të shtëna me armë zjarri që ka rezultuar me 22 persona të vdekur, por banorët e këtij qyteti kanë thënë se ai nuk është i mirëpritur, transmeton agjencia e lajmeve AFP.
Si pasojë e dy sulmeve që kanë ndodhur në El Paso dhe Ohio, kanë humbur jetën 31 persona fundjavën e kaluar në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan u ka bërë thirrje amerikanëve gjatë një fjalimi të hënën që të dënojnë fanatizmin dhe supremacinë e bardhë, mirëpo liderët e komunitetit kanë thënë se presidenti ka një histori me postime provokative në rrjetin social, Twitter.
“Ky president, që ka ndihmuar në krijimin e urrejtjes dhe e ka bërë të mundshëm tragjedinë e së shtunës, nuk duhet të vijë në El Paso”, ka thënë kandidati demokrat për president, Beto O’Rourke, i cili është rritur në këtë qytet.
“Nuk na duhen më shumë ndasi. Neve na duhet të shërohemi. Ai nuk ka vend këtu”, ka shtuar O’Rourke.
Kongresmenia e El Pasos, Veronica Escobar, i ka bërë thirrje Trumpit, “që të konsiderojë faktin se fjalët dhe veprimet e tij kanë pasur rol në këtë” incident.
“Nga perspektiva ime, ai nuk është i mirëpritur aty. Ai nuk duhet të jetë këtu derisa ne jemi në mërzi”, ka thënë Escobar për MSNBC.
Kryetari i El Pasos, Dee Margo, ka thënë pas lajmit për vizitën e Trumpit se ai do ta mirëpresë presidentin vetëm sepse është detyra e tij për ta bërë një gjë të tillë.
Para se të niste të shtënat në një dyqan në El Paso, 21-vjeçari që dyshohet se ka kryer sulmin, është thënë të ketë postuar në rrjete sociale një dokument kundër “pushtimit hispanik në Teksasit”.
Kritikët kanë përmendur gjuhën e përdorur nga Trumpi në Twitter apo nëpër tubime, ku disa herë u është referuar emigrantëve me origjinë hispanika si pjesë të një “pushtimi”. /Opinion.al