Aktualitet

Vizat/ Soreca: Vendimin final e merr KE, asgjë nuk ka ndryshuar


               Publikuar në : 11:22 - 17/04/19 |
b.f

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca ka folur rreth vendimit të parlamentit holandez për të hequr lëvizjen e lirë për shqiptarët në zonën Shengen. Soreca tha se nuk ka një lidhje të provuar mes shtimit të krimit në Holandë dhe lëvizjes së lirë. Ai gjithashtu tha se vendimi final i takon Komisionit Europian në bazë të raportit që do të hartojë qeveria holandeze.

“Komisioni Europian do të bëjë vlerësimin e vet, kur qeveria Holandeze të sjellë raportin e vet, nëse do ta sjellë. Vetë qeveria holandeze nuk ka gjetur një lidhje të qartë mes krimit dhe udhëtimit pa viza. Prandaj do të nevojiten të dhëna dhe statistika në mënyrë që të gjendet kjo lidhje, e cila nuk është vërtetuar ende. Asgjë nuk ka ndryshuar, kjo ka qenë e qartë edhe në deklaratën e ambasadës holandeze në Tiranë, vazhdon udhëtimi pa viza në zonën Shengen. Unë inkurajoj qeverinë shqiptare që të bashkëpunojë me atë holandeze që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe ta intensifikojnë në fushat e emigracionit të parregullt dhe krimit”, është shprehur Luigi Soreca.

Më tej, ambasadori ka shtuar se liberalizimi i vizave ka qenë diçka e fantastike për shqiptarët dhe është shprehur i sigurt se qeveria do të dijë të marrë masat e duhura që kjo arritje të ruhet.

“Udhëtimi pa viza është një arritje fantastike për Shqipërinë, kjo do të thotë se ka pasur një progres shumë të madh dhe ky progres është për qytetarët shqiptarë që prej vitit 2010. Unë kam qenë në krye të këtij procesi për Shqipërinë që në vitin 2010, jam i sigurt se autoritetet shqiptare do të marrin masat e duhura që të ruhet kjo arritje fantastike që është bërë”, u shpreh Soreca./Opinion.al

Pas