Autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet me nga dy korsi në të dyja krahët e saj në vitin 2024.
Sipas projektit të siguruar nga Tv Klan, një korsi në secilin sens do të jetë e dedikuar për emergjencat dhe tjetra për makinat e tjera.
“Zgjerimi i autostradës sipas ARRSH pritet të nisë në tremujorin e parë të vitit 2024. Projekti do të shtrihet si fillim nga kthesa e Kamzës për të vijuar në nyjen e Kasharit”, raportoi gazetarja Dorina Halili.
Punimet në këtë pjesë të rrugës prej 5.8 km do të zgjasin 2 vite.
Ilir Belba, Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, ARRSH: Është parashikuar në buxhetin e ARSH një shumë prej 2 mld lekësh. Gjerësia e autostradës është 18,6 metra, me zgjerimin do bëhet me 35,1 metër gjerësi.
Zgjerimi i rrugës në lotin e parë nuk do të prekë asnjë ndërtesë dhe as rrugët dytësore.
Ilir Belba: Tek loti i parë, zgjerimi do bëhet përgjatë rrugës ekzistuese e cila nuk prek ndonjë objekt… Zgjerimi do bëhet te kanali ekzistues.
Zgjerimi për pjesën tjetër të autostradës nga kthesa e Rinasit në Durrës dhe anasjelltas parashikohet të ndodhë pas vitit 2025.
Ilir Belba: Pas përfundimit të lotit të parë në varësi të projekbuxhetit do nisin lotet e tjera.
Bashkë me shtimin e korsive nga kthesa e Kamzës te kthesa e Kasharit, do të bëhet edhe riasfaltim i rrugës ekzistuese./ Tv Klan