Viti i ri shkollor do të nisë të hënën e dytë të shtatorit, pra më datë 8 shtator. Ministria e Arsimit ka miratuar udhëzimin për strukturën e vitit shkollor, i cili përfshin të gjitha ciklet, përfshirë shkollat e arsimit bazë 9-vjeçar, shkollat e mesme të përgjithshme, por edhe arsimin profesional.
Ministria e Arsimit ka miratuar edhe pushimet e dimrit, të cilat për të gjithë arsimin parauniversitar nisin më 22 dhjetor, ndërsa rikthimi në shkollë bëhet pas festave të fundvitit, më 5 janar 2026.
Po ashtu, në këtë udhëzim janë përcaktuar edhe pushimet në mbyllje të semestrit të dytë për shkollat e arsimit 9-vjeçar, të cilat do të fillojnë më 30 mars dhe përfundojnë më 3 prill 2026.
Mbarimi i shkollës, me përjashtim të maturantëve që e mbyllin vitin shkollor më 15 maj 2026, për të gjithë nxënësit e tjerë nga klasa e parë deri në vitin e dytë të gjimnazit, do të jetë më 12 qershor 2026.
Në udhëzimin për strukturën e vitit të ri arsimor është përcaktuar se provimet kombëtare të arsimit bazë, por edhe provimet e Maturës Shtetërore, do të zhvillohen brenda muajit qershor.
Ajo që është e sigurt për vitin e ri shkollor është se numri i nxënësve do të jetë në ulje, pasi nga viti në vit, për shkak të uljes së lindshmërisë, por edhe për shkak të emigracionit të familjeve, në një vit arsimor regjistrohen mbi 10 mijë nxënës më pak.
Për vitin shkollor 2024-2025, u regjistruan 12.363 nxënës më pak në shkolla në të gjithë Shqipërinë krahasuar me vitin paraardhës. Tjetër sfidë është edhe siguria në shkolla, për të cilën prindërit shpeshherë kanë kërkuar shtimin e numrit të oficerëve të sigurisë dhe të psikologëve shkollorë.
Klan News