Virusi metapneumovirus njerëzor, i cili ka vendosur në alarm autoritetet kineze, dhe ato europiane për shkak të përhapjes së tij, ka tre dekada që qarkullon në të gjithë botën.
Epidemiologu Dritan Ulqinaku nga Instituti i Shëndetit Publik thotë se deri tani nuk asnjë rast të konfirmuar në laborator, por nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qarkulluar në Shqipëri në sezonin e infeksioneve respiratore.
“Ka disa dekada që është zbuluar, ka shumë vite që po qarkullon. Nuk përjashtohet nundësia, bile është e pamundur që të mos ketë ardhur në vendin tone sepse studimet e shumta tregojnë se ky virus është 8-15 % i të gjitha virozave të stinës”, thotë Ulqinaku.
ISHP po analizon të gjitha rastet spitalore me infeksione respiratore.
“E veçanta është se mund të kemi një ndryshim të strukturës së virusit, e cila po studiohet, survejanca jonë është e shtrirë tek rastet e rënda, ato spitalore. Nuk është se ka diçka të veçantë me atë që ka qarkulluar vitet e tjera që të mund të na vërë në panik.”
Në 95 % të rasteve, metapneumovirusi i njeriut, HMPV i ngjan shenjave të rrufës.
“Ka shenjat e një rrufe të zakonshme në 95% të rasteve, rrjedhje hundësh dhe e veçon nga gripi, temperaturë subfebrile, dhimbje koke dhe në 5% të rasteve ky infeksion kalon tek bronket dhe pneumoni.”
Më të prekurit janë fëmijët nën 6 vjeç dhe të moshuarit.
Specialistët thonë se nuk ka vend për një pandemi pasi virusi ka qarkulluar prej vitesh në popullatë.
Tv Klan