Zbardhen 2 vjedhje të kryera me thyerje në të njëjtën tabakino, dje dhe disa ditë më parë. Policia e Tiranës finalizoi operacionin e koduar “Tabachino”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes.
Sipas policisë janë identifikuar 4 autorët e dyshuar, 2 prej tyre janë vënë në pranga e 2 të tjerë janë proceduar penalisht.
“Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës/pasurisë, identifikimin e autorëve, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Tabachino”, për zbardhjen e 2 rasteve të vjedhjes në një tabakino.
Si rezultat i operacionit janë identifikuar 4 autorët e dyshuar, shtetasit: E. S., 22 vjeç dhe A. A., 19 vjeç, të cilët janë kapur dhe vënë në pranga, dhe 2 shtetas të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç, për të cilët ka nisur procedimi në gjendje të lirë. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datat 16.07.2025 dhe 30.06.2025, kanë vjedhur artikuj të ndryshëm me vlerë rreth 80 000 lekë, në tabakinon e shtetases B. K”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /opinion.al