Kronikë

VideoLajm/ Dhunohet nga 15 të rinj gazetari Ismet Drishti, policia ‘gënjen’ mbi ngjarjen?


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 19:24 - 06/04/18 |
b.f

Gazetari dhe administratori i televizionit ‘Zjarr Tv’, Ismet Drishti, ka rënë pre e dhunës. Drishti është goditur nga një grup adoleshentësh, rreth 15 vetë me mjete të forta pranë mjediseve të televizionit.

I kontaktuar nga Opinion.al, gazetari u shpreh se ngjarja ka ndodhur të enjte në orën 22:00, kur një grup adoleshentësh qëllon me gurë mjediset e televizionit “Zjarr TV”.

Sipas tij, ky ka qenë pikërisht momenti i përplasjes me ta, pasi me të goditur mjediset e televizionit, ka dalë për të parë se çfarë po ndodhte, ndërsa grupi i adoleshentëve filimisht ka nisur me ofendime dhe më pas janë vërsulur me leva dhe gurë, duke e dëmtuar lehtë në kokë.

Më tej, Drishti tha se pas publikimit në media dhe reagimit të deputetës Albana Vokshi, policia ka mbërritur në mjediset e televizionit “Zjarr Tv”, rreth orës 17:00 të së premtes për të marrë pamjet filmike.

Ai u shpreh edhe pse policia u telefonua në kohë reale mbi atë se çfarë po ndodhte në mjediset e televizionit, reagimi ishte shumë i vonuar, pasi patrulla e parë policore ka mbërritur shumë vonë nga koha e lajmërimit.

Ndryshe nga disa media të cilat financohen nga qeveria, Televizioni ynë është në anën e lajmeve të vërteta. Ne asnjëherë nuk kemi dashur të dizinformojmë, por sjellim vetëm të vërtetën. Ne do të vazhdojmë mision tonë atë të publikimit të të vërtetës për të gjithë shqiptarët. Nuk jemi dhe nuk do të jemi asnjëherë me palë, me asnjë, por vetëm me të vërtetën“,- thekson Drishti.

Ky nuk është rasti i parë, në 4 dhjetor të 2017, studiot e televizionit ”Zjarr Tv” u sulmuan dhe u plaçkitën natën, ndërsa policia ende nuk ka asnjë të ndaluar për atë ngjarje.

Njoftimi i policisë:
Më datë 05.04.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për shtetasin e mitur D.M, pasi në rrugën “3 Dëshmorët”, ka goditur me sende të forta shtetasin I.D, vjeç 52, banues në Tiranë. Punohet për kapjen e D.M. Neni 90 i Kodit Penal.

Pamjet e ngjarjes: 

Reagimi i PD-së:

Administratori i “TV Zjarr”, gazetari Ismet Drishti, është kërcënuar nga një grup me maska, që ka sulmuar me leva dhe sende të forta ndërtesën e studiove të televizionit.

Gazetari Drishti ka kërkuar ndihmën e policisë, por patrulla e parë policore ka mbërritur shumë vonë. Në përpjekje për të mbrojtur pronën dhe punën e tij, gazetari Ismet Drishti është përleshur me agresorët dhe ka pësuar lëndime të lehta në kokë.

Në 4 dhjetor të 2017, studiot e televizionit ”Zjarr” u sulmuan dhe u plaçkitën natën, ndërsa policia ende nuk ka asnjë të ndaluar.

Edhe sot, policia nuk ka bërë asnjë veprim për të sekuestruar kamerat e bizneseve përballë studiove të televizionit për të rënë në gjurmë të agresorëve.

Partia Demokratike e dënon me forcë sulmin dhe kërkon hetim të plotë e të shpejtë për ngjarjen e përsëritur kundër gazetarit Ismet Drishti, i njohur për qëndrimet kritike ndaj qeverisë.

Partia Demokratike ka nisur procesin e konsultimeve me shoqatat e gazetarëve dhe organizatat ndërkombëtare për hartimin e një rezolute parlamentare në mbrojtje të jetës dhe profesionit të gazetarëve ne Shqipëri./Opinion.al

 

 

Pas