Akrepat e orës kanë kaluar orën 12:00 të natës dhe kështu viti i ri 2020 ka mbërritur në ishujt më të largët të Paqësorit. Të parët që pritën dekadën e re ishin banorët e ishullit polinezian të Kiribatit, ndërsa më pas ata në Zelandën e Re.
Siç është edhe traditë, viti i ri është pritur me një spektakël fishekzjarresh, mes atmosferës së bukur dhe urimeve për një vit të mbarë.
Ndërkohë, përgatitjet vazhdojnë edhe në Australi, ku festimet e përvitshme madhështore në Sidnei nuk janë anuluar, pavarësisht zjarreve masive që kanë tronditur vendin.
Festa do të vazhdojë në orët në vijim në mbarë globin, ndërsa festime madhështore janë programuar në Japoni, Korenë e Veriut, Tajlandë, Indi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Rusi, Angli, Brazil,por edhe në Hawaii, vendi i fundit që do të festojë ndërrimin e viteve./Opinion.al