Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur paraditen e sotme në autostradën Tiranë-Durrës.
Një person ende i paidentifikuar është aksidentuar për vdekje nga një automjet në afërsi të fshatit Xhafzotaj.
Sipas policisë, personi po tentonte të kalonte rrugën duke kapërcyer trafikndarësen, në momentin kur është përplasur nga një mjet tip Benz, me drejtues Orges Sina.
Viktima ka ndërruar jetë menjëherë, ndërsa Sina është shoqëruar në polici për të dhënë detaje për ngjarjen.
Sipas dëshmitarëve, këmbësori ka ndërruar jetë në pritje të ambulancës dhe policisë, të cilat sipas të pranishmëve, janë vonuar.
“Askush nuk erdhi për ta ndihmuar, policia vjen pas 30 minutave dhe ambulanca pas një ore dhe askush nuk e dinte nëse është i vdekur apo i gjallë”, ka thënë një nga të pranishmit në vendngjarje, shkruan “Jeta osh qef” e cila ka publikuar edhe video nga vendngjarja.
Ai tha më tej për Jetaoshqef.al se, kalimtari është përplasur dhe më pas është marrë zvarrë nga shpejtësia e madhe.
“Kalimtari po rrinte, nuk po kalonte akoma, u ruajt pak dhe pastaj në fillim e kapi lehtë makina pastaj e mori zvarr nga shpejtësia madhe rreth 200 metra zvarrë a me shumë. Dhe askush nuk erdhi per 40 minuta qe policia ishe aty pranë e nuk erdhi”, u shpreh ai.
Ndërsa policia bën me dije se drejtuesi i mjetit që ka shkaktuar aksidentin është Orges Sina, i cili është dërguar në komisariat për të sqaruar rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti.
Shikoni videon, e cila tregon momentet pas aksidentit dhe thirrjet e të aksidentuarit për ndihmë.
http://www.dailymotion.com/video/x3wkt1h_makina-terheq-zvarre-kalimtarin-vdes-ne-pritje-te-ambulances_news