Në nëntor 2016 programet informative transmetuan lajmin e sekuestrimit të 9 apartamenteve në Durrës, pas një indicie nga Drejtoria e Pastrimit të Parave. Në këtë lajm thuhej që nëntë apartamente në bulevarin kryesor të Durrësit janë sekuestruar me urdhër gjykate pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Prokuroria e Përgjithshme ka bërë me dije se apartamentet ishin në pronësi të 22 vjeçarit Arlind Kalaja. Kjo pasuri sipas Prokurorisë dyshohet se është vënë nga aktivitete kriminale të babait të të riut, Fatmir Kalaja, i cili jeton në Itali.
Pra ky ishte lajmi i bujshëm që qarkulloi në nëntor të 2016, por në fakt e vërteta duket se është krejtësisht ndryshe nga ajo që është transmetuar në media. Pronari i këtyre apartamenteve Arlind Kalaja, i cili jeton në Itali, i është drejtuar emisionit “STOP”, për të denoncuar këtë rast, përmes “Skype-t”. Ai shpjegon origjinën e parave, duke u kthyer në një pjesë të dhimbshme të jetës së tij. Në vitin 2003 mamaja dhe motra e Arlindit humbën jetën në një aksident tragjik në Verona. Pas procesit gjyqësor Arlind Kalaja dëmshpërblehet nga kompania e sigurimit me 450 mijë euro, gjë që e provon dhe avokati Roberto Bruzzesi. Vetë Arlindi ka frikë të niset drejt Shqipërisë, pasi mund ta lënë përgjithmonë këtu.
“Në 2003 kam humbur nënën dhe motrën për shkak të një aksidenti rrugor. Ndërsa unë u plagosa rëndë bashkë me babin tim. Jemi të vetmit të mbijetuar si pasojë e këtij aksidenti. Jeta jonë ndryshoi totalisht. Të humbësh nënën në moshën 9 – vjeçare nuk është një gjë e thjeshtë.”
Shiko videon: