Mungesa e higjienës në restorante dhe pasojat e këtij fenomeni fatkeqësisht të përhapur rëndom në vendin tonë e kanë një shpjegim.
Pronarët e këtyre bizneseve pajisen lehtësisht me çerfikatën 3D, dokument ky që dëshmon se kushtet higjieno-sanitare janë brenda standardeve edhe në rast se ato nuk janë.
Por si bëhet kjo proçedurë për të qenë një biznes “konform rregullave”?
Mjafton që të shkosh në një farmaci për t’u pajisur me këtë dëshmi, pa qenë nevoja që të bëhet dezinfektimi i objektit dhe sigurisht kjo bëhet kundrejt një pagese të caktuar.
Ky fenomen i jashtëligjshëm sillet përmes kameras së fshehtë të emisionit investigativ “STOP” që është ndalur në disa nga farmacitë bujqësore të kryeqytetit.
Qytetari kërkon një çertifikatë dezinfektimi për një biznes restoranti dhe pa qenë e nevojshme që kjo procedurë të kryhet, paguan paratë dhe merr lejen e kërkuar. E njëjta gjë përsëritet në disa farmaci, derisa në njërën prej tyre, në këmbim të pagesës, jepet çertifikata për t’u plotësuar vetë.