Konferenca për media e trajnerit Joakim Lëv pas fitores 8-0 ndaj San Marinos është kthyer në një teatër, për shkak të kaosit me përkthyeset.
Teksa trajneri i Gjermanisë po fliste për zëvendësimin e Gomezit, përkthyeses përkrah tij po i merreshin mendtë. Përkthyesja italiane Martina çohet nga karrigia duke vënë duart mbi kokë. “Për fat të keq më duhet të iki. Nuk po ndihem mirë”, tha ajo.
Trajneri i Gjermanisë bën të kujdeset për të, por ajo nervozohet dhe shoqërohet nga zëdhënësi i federatës gjermane, Jens Gritner. Më pas spontanisht e merr përsipër përkthimin një gazetare austriake. Edhe austriakja Katarina Rainer, e cila jeton në Itali, ngatërrohet nga emocionet e tepërta përkrah Lëvit. Në vend ta përkthente në gjuhën italiane, ajo përsëriti në gjuhën gjermane atë çfarë kishte thënë strategu i kampionëve të botës. Një situatë qesharake, por që u kalua me qetësi dhe sukses nga Joakim Lëv.
“Kolegia ime Martina ishte aq e shqetësuar, sa braktisi konferencën. Më duhej ta bëja unë për një kohë të shkurtër. Trajneri Lëv u tregua mjaft pozitiv dhe më nxori nga situata me delikatesë. Ishte një situatë e këndshme dhe spontane”, nënvizoi për gazetën “Bild” përkthyesja austriake Katarina Rainer.