Rama ik! E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Me këto thirrje protestuesit e opozitës, i kanë vënë zjarrin disa gomave, ndërsa nuk kanë munguar as hedhja e kapsollave. Më herët protestuesit sulmuan ministrin Blendi Klosi dhe deputetin Paulin Stërkaj të cilët po tentonin të futeshin në Kuvend.
Një kordon policie i përbërë nga dhjetëra efektivë ka bllokuar hyrjen kryesore të Parlamentit, ndërsa mësohet se në total, janë angazhuar rreth 1 mijë forca të Ndërhyrjes së shpejtë, të RENEA-s, Shqiponjave dhe nga Garda e Republikës. Gjithashtu gjatë gjithë kohës, uniformat blu kanë bërë thirrje me megafon që të ndalen veprat e dhunshme pasi përbëjnë vepër penale./ Opinion.al