Policia e Durrësit ka pezulluar nga puna policin i cili u demaskua në rrjetet sociale, ku shfaqej t’i kërkonte patentën një pasagjeri.
Gjithashtu ka nisur ecuria disiplinore për shkelje të rëndë të detyrës për eprorin e tij të drejtpërdrejt, Arjan Çali, me detyrë Përgjegjës Turni, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në DPPSH. Polici i pezulluar është shtetasi Neim Imeri.
Njoftimi i plotë:
Lidhur me videon e publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një punonjës policie që në mungesë profesionalizmi dhe duke mos respektuar proçedurat ligjore, i kërkon lejen e drejtimit pasagjerit pasi ka ndalur një automjet për një kontroll rutinë, ju informojmë se Policia e Durrësit ka pezulluar menjëherë efektivin Neim Imeri, me detyrë Punonjës i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Durrës, si dhe ka nisur ecuria disiplinore për shkelje të rëndë të detyrës për eprorin e tij të drejtpërdrejt, Arjan Çali, me detyrë Përgjegjës Turni, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në DPPSH. Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë rastet e shkeljeve të punonjësve të policisë në numrin 129 dhe numrin falas të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat 08009090, duke i garantuar për reagimin në kohë dhe marrjen e masave ligjore ndaj abuzuesve.
http://www.dailymotion.com/video/x3veq5i_polici-i-kerkon-patenten-pasagjerit_news