Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një resort turistik në Egjipt, ku peshkaqeni ka sulmuar për vdekje një turiste austriake.
Gjithçka ka ndodhur ndërsa turistja ishte duke notuar në plazhet e Sharm El Sheikh.
Turistja 68-vjeçare sapo pa peshkaqenin që i afrohej, u përpoq të notonte në breg sa më shpejt të mundej, por fatkeqësisht nuk mundi t’i shpëtonte.
Ngjarja ndodhi para pushuesve të cilët u bënë dëshmitarë të ngjarjes së rëndë dhe panë se si peshkaqeni i preu asaj krahun dhe këmbën.
Si pasojë e sulmit, ajo ndërroi jetë pak më vonë, teksa po transportohej me ambulancë në spital për shkak të gjakderdhjes.
Turistët që kanë regjistruar me celularët e tyre skenën, kanë reaguar ashpër për mungesën e shpëtimtarëve në plazh, të cilët mund të kishin ndërhyrë për të shpëtuar viktimën.
Ndërsa autoritetet lokale ndaluan notin, zhytjen dhe peshkimin në zonën përreth për tre ditë nga frika e rishfaqjes së peshkaqenëve të tjerë në ato ujëra.