Në Shqipëri mjafton një garë me 20 çiklistë, që t’ua dreqosesh ditën qindra e qindra qytetarëve. Aksi i vetëm që lidh Tiranën me të gjithë juglindjen e Shqipërisë, nga Elbasani në Ersekë, u bllokua për 4 orë me radhë.
Njëri krah i Unazës së Madhe që shërben si nyje lidhëse mes Tiranës dhe periferisë u mbyll për 20 çiklistë, në kulmin e qarkullimit, kur qytetarët lëvizin me makinat e tyre për të shkuar në punë apo për të kryer nevojat e përditshme të familjeve të tyre.
Policia nuk ka lejuar që të kalojë asnjë automjet dhe i ka detyruar të gjitha makinat që udhëtonin drejt Tiranës të kalonin përmes rrugës së vjetër, në të cilën ende janë duke u kryer punime, çka ka shkaktuar një trafik kaotik.
Me vendimin për të bllokuar rrugën, nuk është menduar për qytetaret dhe është miratuar menjëherë leja për Federatën Shqiptare e Çiklizimit për t’u bllokuar rruga nga ora 10.00 deri në 14.00, në një ditë të ngarkuar të javës, pa pyetur për pasojat.