Pa lente, xhama mbrojtës apo kufje speciale. I ftohtë, me syzet optike që mban zakonisht dhe sikur të paraqitej si çdo ditë në punë. Jusuf Dikeç është kthyer në sensacionin e “Lojrave Olimpike”, ndërsa videot dhe fotot e garimit të tij në qitje me pistoletë me ajër në “Paris 2024” po bëjnë xhiron e botës.
Në fakt, pistoleta është pjesë e profesionit të tij, si rreshter në xhandarmarinë e Stambollit dhe sipas mënyrës së tij e përdori për t’i dhuruar Turqisë medaljen e argjendit në garën dyshe, pasi bashkë me kolegen e tij Seval Iljad Tarhan mundën 16-14 rivalët serbë.
Për Dikeç, tashmë në moshën 51-vjeçare kjo ishte olimpiada e pestë në karrierë. Në të shkuarën i ishte afruar disa herë zonës së medaljeve, por pa sukses.
Këtë herë ishte ndryshe. Ai triumfoi me medaljen e argjendit, ndërsa përveç kësaj mori edhe një tjetër medalje ari, atë të dhënë nga populli i rrjeteve sociale si “Atleti më Tip” i Lojrave Olimpike “Paris 2024”.