Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

VIDEO/Kryepeshkopi Joan në Stamboll, vizita e parë zyrtare jashtë vendit

2025/06/15 at 11:17 AM
në Aktualitet, Kryesore, Te Fundit
Kohë leximi: 10 min
A A
VIDEO/Kryepeshkopi Joan në Stamboll, vizita e parë zyrtare jashtë vendit

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, imzot Joani po kryen një vizitë zyrtare paqësore në Patriarkanën Ekumenike në Stamboll.


Lajmin e ka bërë të ditur Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e cila ka njoftuar Kryepeshkopi Joan do të qëndrojë në Stamboll nga data 13 deri më 17 qershor 2025.

Më poshtë shihen edhe pamjet nga mesha që Kryepeshkopi Joan ka mbajtur në prezencën e delegacionit, klerikëve dhe figurave të rëndësishme të Kishës Ortodhokse në Stamboll.

Delegacioni që e shoqëron është i përbërë nga Mitropolitët e Fierit dhe Apolonisë z. Nikolla dhe të Beratit z. Asti, Hirësinë e Tij Episkopin e Krujës z. Anastas, Protosingjel i Kryepiskopatës së Shenjtë, Protopresviterin Atë Jani Mërkuri, Epítrop Arkieratik i Mitropolitisë së Shenjtë të Gjirokastrës, Kryedhakonin z. Johan Koroveshi dhe z. Andrea Rëmbeci, Profesor i Universitetit të Tiranës dhe Drejtor i Fondacionit “Frymë Dashurie”.

Vizita po kryhet në kuadrin e vizitave tradicionale paqësore që bëjnë Primatët e Kishave Orthodhokse, që nis nga Patriarkana Ekumenike e cila mban vendin e parë të nderit dhe vazhdon në të gjitha Kishat Orthodhokse.

Kjo vizitë është shprehje e unitetit të Kishës në Shpirtin e Shenjtë.

Fjalimi i Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë imzot Joanit gjatë bashkëmeshimit me Tërëshenjtëriine e Tij, Patriarkun Ekumenik z. Vartholome:

Tërëshenjtëri shumë i Hyjshëm, Kryepiskop i Kostandinopojës, Romës së Re dhe Patriark Ekumenik, vëlla dhe bashkëmeshtar shumë i dashur dhe i shtrenjtë në Krishtin Perëndi,

Zoti Vartholome,

Me mallëngjim tejet të thellë dhe mirënjohje ndaj Zotit të lavdisë, kryem sot bashkërisht Euharistinë Hyjnore, misterin e mistereve, burimin dhe fundin e çdo veprimtarie apostolike. Hiri i Shpirtit të Shenjtë, i cili “u ndan gjithëve si të dojë”, na mblodhi në një vend, që njëzëri të ofrojmë therorinë pa gjak dhe të përtërijmë thirrjen tonë si predikues të Ungjillit në botë.

Urdhri i Zotit të Ngjallur, “shkoni dhe bëni dishepuj të gjithë kombet”, nuk është thjesht një kujtim historik, por një ftesë urdhëruese që i drejtohet çdo brezi, çdo Kishe lokale, çdo besimtari. Dhe fuqia për përmbushjen e këtij misioni buron nga Tryeza e Shenjtë, ku Krishti, “Bariu i mirë”, ushqen grigjën e Tij dhe e bën të aftë të transmetojë gëzimin e shpëtimit.

Pyetja që shtrohet, është: Në ç’botë thirremi të predikojmë sot Ungjillin e përjetshëm? Jetojmë në një epokë ndryshimesh të vrullshme, ku revolucioni teknologjik përmbys përditë të dhënat e komunikimit dhe të bashkëjetesës njerëzore. Epoka dixhitale ka krijuar mënyra të reja lidhjeje mes njerëzve, por në mënyrë paradoksale ka shtuar vetminë dhe tjetërsimin. Të rinjtë tanë, ndonëse janë të lidhur me qindra “miq” në mediat sociale, ndihen thellësisht të vetmuar dhe kërkojnë kuptimin e ekzistencës. Inteligjenca artificiale, që po hyn me vrull në jetën tonë, shtron pyetje thelbësore rreth unikalitetit të personit njerëzor, të krijuar “sipas ikonës dhe ngjashmërisë” së Perëndisë. Njëkohësisht, përjetojmë një krizë shpirtërore të paprecedentë. Kuptimi i së vërtetës është relativizuar, konsumizmi është shndërruar në një formë të re idhujtarie dhe zbrazëtia ekzistenciale që përjetojnë njerëzit bashkëkohorë i shtyn drejt formave të ndryshme të spiritualiteteve zëvendësuese. Megjithatë, pikërisht kjo krizë mund të bëhet “praeparatio evangelica” (përgatitje për ungjillin), sepse njeriu që ka etje kërkon burimin e ujit të gjallë, ndërsa shoqëritë perëndimore të paanë dhe zhurmshme përbëjnë territorin misionar (terra missionis).

Cila është pra përgjigjja e Kishës ndaj sfidave të kohës? Si mund ta transmetojmë mesazhin e përjetshëm të Ungjillit te njerëzit që duken indiferentë apo edhe armiqësorë?

Historia e misionit orthodhoks na mëson se ungjillëzimi nuk është prozelitizëm, por një thirrje për pjesëmarrjen e të gjithëve, pa përjashtim, në lavdinë e Zotit. Nuk imponojmë besimin, por transmetojmë përvojën e takimit me Krishtin e Ngjallur. “Ai që ka shijuar, e di”, thonë Etërit. Dhe ne, duke shijuar ëmbëlsinë e Mbretërisë, thirremi të bëhemi “liturgjisës pas Liturgjisë”, duke vazhduar veprën e dashurisë në jetën e përditshme.

Fuqia e dëshmisë personale mbetet e pazëvendësueshme. Çdo person që jeton në mënyrë autentike Ungjillin bëhet një provë e gjallë e së vërtetës së tij. Dëshmia e heshtur e dashurisë, e sakrificës, e faljes, flet më fort se një mijë fjalë. Martirët dhe dëshmuesit bashkëkohorë, që dhanë jetën e tyre për Krishtin, por edhe besimtarët e thjeshtë që mikpresin të huajin, kujdesen për të sëmurin, falin armikun, janë ungjillëzuesit e vërtetë të epokës sonë.

Dimensioni baritor i ungjillëzimit kërkon ta takojmë njeriun aty ku ndodhet, jo aty ku do të donim të ishte. Sipas modelit të Zotit, që u përul deri në vdekjen në kryq për shpëtimin tonë, edhe ne thirremi në një përulje dashurie. Të bëhemi mjekë shpirtrash dhe jo gjykatës, të kemi durim dhe zemërgjerësi, duke pritur kohën e Perëndisë për çdo shpirt.

Më lejoni, të ndaj me ju përvojën unike të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Kisha jonë, pas dekadash ateizmi të dhunshëm dhe persekutimesh, njohu një rilindje të mrekullueshme. Të rinj, të cilët nuk e kishin trashëguar besimin nga prindërit e tyre, erdhën për të kërkuar Krishtin. Nuk kishim kisha madhështore, as programe të organizuara, por kishim dashurinë dhe autenticitetin.

Mësuam se besimi nuk imponohet, por fitohet. Se shërbesa dhe dashuria në vepër flasin më fort se diskutimet teologjike. Kuptuam, gjithashtu, se duhet të flasim jo vetëm gjuhën e çdo populli, por edhe gjuhën e çdo epoke. U ndërgjegjësuam se, disa terma teologjikë, ndonëse përmbajnë të vërteta të thella, tashmë janë të ngarkuar me konotacione negative, saqë funksionojnë si largues.

Përvoja jonë baritore, për shembull, na mësoi këtë: nëse i themi drejtpërdrejt një të riu “ke mëkate”, ka shumë gjasë ta largojmë, pasi fjala tingëllon si një dënim i ftohtë. Por nëse, duke iu afruar shpirtit të tij, e pyesim “A ndjen se diçka nuk shkon mirë brenda teje? A përjeton një zbrazëti a një shqetësim të brendshëm?”, atëherë ka më shumë gjasa të na dëgjojë. Kjo qasje, që niset nga përjetimi dhe ankthi ekzistencial i vetë njeriut, i hap udhën që ai vetë ta zbulojë të vërtetën e sëmundjes së tij shpirtërore dhe të kërkojë shërimin në Krishtin. Mësuam, pra, se mënyra e thjeshtë dhe e përulur e jetesës tërheq më shumë se shfaqja e forcës. Priftërinjtë tanë të rinj, shumë prej të cilëve vijnë nga familje që përjetuan ateizmin, kanë një zell të veçantë për transmetimin e Ungjillit, sepse e dinë nga përvoja se ç’do të thotë të jetosh pa Krishtin.

Gjithashtu në këtë sfidë të madhe të ungjillëzimit kuptuam dhe ndjemë se ndonëse trungjet ishin prerë rrënjët ishin ende të gjalla, sepse ato ishin mbjellë nga apostujt e shenjt në trevat tona.

Prandaj Kisha Orthodhokse e Shqipërisë lavdëron Perëndinë Triadik për prejardhjen e saj apostolike dhe praninë historike shumëshekullore te saj në trojet e Ilirikut. Durrësi, Epidamni i lashtë, ka qenë një nga portet më të rëndësishme të Perandorisë Romake dhe më pas të asaj Bizantine, duke përbërë skajin perëndimor të Rrugës së famshme “Egnatia”. Kjo pozitë gjeografike e bëri rajonin tonë lidhës të rëndësishme midis Lindjes dhe Perëndimit, urë qytetërimesh dhe traditash, vend takimi i Krishterimit lindor dhe perëndimor. Përmendja e Apostullit Pavël për predikimin e Ungjillit “nga Jerusalemi dhe rreth e qark gjer në Ilirik” (Rom. 15:19) dëshmon pranimin e hershëm të mesazhit të krishterë në trojet tona.

Toka martire e Shqipërisë është shenjtëruar nëpërmjet pranisë së një plejade shenjtorësh dhe martirësh. Nga Qesari, episkopi i parë i Durrësit, i cili sipas traditës ka qenë një nga Shtatëdhjetë Apostujt dhe u dorëzua nga Apostulli Pavël, deri në kohët e reja, Kisha jonë ka lindur shenjtorë të cilët ndriçuan, jo vetëm tokën tonë, por edhe rajone më të gjera të Ikumenit Orthodhoks. Hieromartiri Asti, episkop i Durrësit, si dhe Hieromartiri Elefter, episkop i Ilirikut me qendër në Vlorë, kanë qenë predikues të palodhur të Ungjillit dhe dhanë dëshmi e tyre me martirizim. Njëkohësisht emrat e episkopeve të Durrësit regjistrohen në listën e anëtarëve të Sinodeve Ekumenike ose Patriarkale. Veçanërisht tre shenjtorë lidhin ngushtë Kishën e Shqipërisë me Patriarkanën Ekumenike.

Shën Joan Kukuzeli, Zëengjëlli, i cili lindi në Durrës gjatë shekullit XIV. Ky mistagog i muzikës bizantine, asketizoi në Lavrën e Madhe të Malit të Shenjtë, ku edhe fjeti në mënyrë oshënare. Kontributi i këtij biri tonë të ndritshëm në traditën e shenjtë muzikore të Kishës ka qenë vendimtar.

Shën Nifoni, Patriark i Kostandinopojës. I lindur në Peloponez nga babai arvanit, Shën Nifoni u lidh ngushtë me heroin kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Vëllazërimi i tyre shpirtëror dhe shërbesa e shenjtit si prift në Krujë, kryeqytetin e Skënderbeut, para ngjitjes së tij në Fronin Ekumenik, përbën shembull të gjallë të unitetit të besimit dhe të dashurisë vëllazërore.

Hieromartiri Kozma Etolosi, i Barabartë me Apostujt, i cili gjatë shekullit XVIII përshkoi me bekimin e Patriarkanës Ekumenike shumë provinca të Shqipërisë së sotme dhe, duke predikuar fjalën e Perëndisë, dha një kontribut thelbësor në ruajtjen deri ne martirizim besimin orthodhoks.

Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar në fillim të shekullit XX dhe krijimi i Shtetit të ri shqiptar të bekuar nga Perëndia më 1912, krijuan kushte të reja për organizimin kishtar të vendit. Të krishterët e devotshëm orthodhoksë iu drejtuan Fronit të Tërëshenjtë Apostolik dhe Patriarkal Ekumenik dhe, me besim në të, i paraqitën nevojat e tyre aktuale kishtare.

Patriarkana Ekumenike, duke parë me vëmendje këtë kërkesë të tyren, e njohu me dashamirësi kërkesën e bijve të dashur shpirtërorë në Shqipëri dhe, në kohë të bekuar më 1937, nën Patriarkun Veniamin I, shpalli Kishën Orthodhokse të Shqipërisë si motër shpirtërore me autoqefali të plotë.

Periudha e regjimit ateist ka qenë më e errëta në rrugëtimin shumëshekullor të Orthodhoksisë në Shqipëri. Persekutimi brutal dhe sistematik kundër çdo shfaqjeje fetare nga viti 1967, çoi në shembjen ose përdhosjen e qindra kishave dhe manastireve, në burgosjen, torturimin dhe vdekjen e dhjetëra klerikëve dhe besimtarëve, në ndalimin e çdo akti fetar, madje edhe të lutjes private.

Kisha jonë arriti “deri në portat e Hadhit”. Regjimi shpalli Shqipërinë si “shtetin e parë ateist në botë”, duke menduar se kishte fshirë përfundimisht çdo prani fetare nga vendi. Por premtimi i Zotit tonë Jisu Krisht se “portat e Hadhit nuk do ta mundin atë” (Mt. 16:18) u dëshmua më i fortë se çdo mekanizëm njerëzor dhe çdo persekutim.

Dhe mrekullia u realizua! Rënia e regjimit ateist më 1991 hapi rrugën për rilindjen e Kishës. Por situata ishte tragjike: asnjë hierark në detyrë, shumë pak presviterë të gjallë, kisha të shkatërruara ose të kthyera në magazina apo palestra, asnjë organizim kishtar, asnjë edukim teologjik.

Në atë moment kritik, Patriarkana Ekumenike dëshmoi praktikisht dashurinë dhe kujdesin e saj për Kishën e Shqipërisë. Sinodi i Shenjtë dhe i Hirshëm i Patriarkanës Ekumenike caktoi profesorin e Universitetit të Athinës, Episkopin e Andrusës, (Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë dhe vendmbajtës i Mitropolisë së Shenjtë të Irinupolit) Anastasin, si ekzark patriarkal, me mision të shkonte në Shqipëri për kontaktet e para me orthodhoksët dhe autoritetet e vendit. Zgjedhja e një hierarku me përvojë të pasur në veprën misionare (hierapostolike), me përgatitje të thellë teologjike dhe aftësi organizative, u dëshmua bekim i Perëndisë për Kishën e rilindur.

Vepra që është kryer gjatë tre dekadave të fundit është haptazi mbresëlënëse dhe dëshmon fuqinë e besimit dhe hirin e Frymës së Shenjtë. Nga hiçi, Kisha e Shqipërisë u rindërtua shpirtërisht dhe materialisht.

Mijëvjeçari i tretë që po kalojmë kërkon prej nesh guxim dhe vizion, besim dhe dallueshmëri, traditë dhe përtëritje. Të jemi të rrënjosur në traditën apostolike, por edhe të hapur ndaj mundësive të reja që na ofron Perëndia. Të flasim gjuhën e bashkëkohësve tanë, pa e tradhtuar mesazhin e përjetshëm. Të jemi të pranishëm në botë, pa qenë të botës.

Sot, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përbën faktor të qëndrueshëm progresi dhe zhvillimi për vendin. Prania e saj nuk kufizohet në hapësirën ngushtësisht fetare, por shtrihet në të gjitha fushat e jetës sociale, duke kontribuar në rilindjen shpirtërore, morale dhe kulturore të popullit.

Vizionojmë një zë të fuqishëm dhe të bashkuar të Orthodhoksisë në botën bashkëkohore, zë i cili do të shpallë mesazhin e Ungjillit me guxim dhe urtësi, do t’u përgjigjet pyetjeve ekzistenciale të njeriut bashkëkohor, do të ofrojë shërimin e dashurisë në plagët e njerëzimit. Misioni i Kishës për të bashkuar popujt dhe për t’i udhëhequr drejt dritës së Ngjalljes mbetet aq aktual dhe urgjent sa asnjëherë më parë.

Kisha e Shqipërisë, ne masën e mundësive te saj dhe sfidave të shumta, është e gatshme dhe e vullnetshme të ofrojë shërbimet e saj në këtë vepër të madhe.

Tërëshenjtëri, Pranoni mirënjohjen tonë për dashurinë atërore, mbështetjen e pandërprerë dhe kujdesin e vazhdueshëm që tregoni ndaj Kishës së Shqipërisë. Prania jonë këtu sot dëshmon qartë dashurinë, respektin dhe përkushtimin tonë ndaj personit Tuaj të nderuar dhe institucionit të lartë që përfaqësoni.

Duke përfunduar, dua të shpreh sigurinë time se “ai që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë shumë më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë” (Efes. 3:20), do t’i bekojë përpjekjet tona dhe do ta bëjë fjalën e Tij të japë fryt. Le të bëhemi bashkëpunëtorë të denjë të Tij në veprën e shpëtimit të botës.

Uroj që Zoti i lavdisë, i ngjallur së vdekursh dhe që rri në të djathtë të Atit, ta forcojë gjithmonë Shenjtërinë Tuaj, t’i ndriçojë vendimet Tuaja dhe ta bekojë grigjën Tuaj. Amin.



Ju sugjerojmë

Tragjedia e “Air India”, dëmtimi i sediljes së pilotit shkaktoi rrëzimin e avionit
Bota

Tragjedia e “Air India”, dëmtimi i sediljes së pilotit shkaktoi rrëzimin e avionit

15 Qershor, 2025 10:52 pm
Sulmet izraelite, vritet shefi i inteligjencës së forcave të armatosura iraniane
Bota

Sulmet izraelite, vritet shefi i inteligjencës së forcave të armatosura iraniane

15 Qershor, 2025 10:49 pm
Diskutimet për konfliktin Izrael-Iran pritet të dominojnë Samitin e  G7-ës
Bota

Diskutimet për konfliktin Izrael-Iran pritet të dominojnë Samitin e  G7-ës

15 Qershor, 2025 10:45 pm
Flakët ‘përpijnë’ 3 hektarë shkurre! Zjarrfikësit shpëtojnë banesën nga zjarri.
Aktualitet

Flakët ‘përpijnë’ 3 hektarë shkurre! Zjarrfikësit shpëtojnë banesën nga zjarri.

15 Qershor, 2025 10:39 pm
Von der Leyen i kërkon Netanyahut zgjidhje diplomatike për Iranin. Situata në Gaza..
Bota

Von der Leyen i kërkon Netanyahut zgjidhje diplomatike për Iranin. Situata në Gaza..

15 Qershor, 2025 10:32 pm
Netanyahu akuzon liderët perëndimorë se po “mbajnë anën” e Hamasit
Bota

Konflikti me Iranin, Netanyahu: Plotësisht i koordinuar me Trump! Kemi goditur..

15 Qershor, 2025 10:25 pm
Sulmohet Ministria e Jashtme e Iranit/ Raportohet për punonjës të plagosur
Bota

Sulmohet Ministria e Jashtme e Iranit/ Raportohet për punonjës të plagosur

15 Qershor, 2025 9:58 pm
Sulmet izraelite në Iran/ Shkon në 406 numri i të vdekurve dhe 654 i të plagosurve
Bota

Sulmet izraelite në Iran/ Shkon në 406 numri i të vdekurve dhe 654 i të plagosurve

15 Qershor, 2025 9:45 pm
Irani, seri tjetër sulmesh ndaj Izraelit/ Sirena alarmi në Tel Aviv e Jerusalem
Bota

Irani, seri tjetër sulmesh ndaj Izraelit/ Sirena alarmi në Tel Aviv e Jerusalem

15 Qershor, 2025 9:31 pm
“Hesht kur fëmijët flenë,jo kur vdesin”/Protesta për ‘gjenocidin’ e Izraelit në Gaza
Bota

“Hesht kur fëmijët flenë,jo kur vdesin”/Protesta për ‘gjenocidin’ e Izraelit në Gaza

15 Qershor, 2025 8:59 pm
Para
Dështon për herë të 27-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Kosova pa Kuvend të ri edhe pas 32 tentimesh

87-vjetori i Rexhep Qoses, Begaj: Një pasuri kombëtare e mendimit

Axhenda/Nesër samiti i SEECP, Begaj pret kryetarët e shteteve anëtare në Tiranë

SHBA në mbështetje të Forcave Ajrore Shqiptare në trajnimet për fikjen e zjarreve

SHBA në mbështetje të Forcave Ajrore Shqiptare në trajnimet për fikjen e zjarreve
















TE FUNDIT

Tragjedia e “Air India”, dëmtimi i sediljes së pilotit shkaktoi rrëzimin e avionit

Tragjedia e “Air India”, dëmtimi i sediljes së pilotit shkaktoi rrëzimin e avionit
15 Qershor, 2025

Tragjedia e avionit “Air India”, që ndodhi rreth 2 kilometra larg aeroportit të Ahmedabad-it, Indi, duke shkaktuar vdekjen e 279...

Lexo më shumë

Sulmet izraelite, vritet shefi i inteligjencës së forcave të armatosura iraniane

Sulmet izraelite, vritet shefi i inteligjencës së forcave të armatosura iraniane
15 Qershor, 2025

Është konfirmuar nga autoritetet iraniane vrasja e shefit të njësisë së inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), gjeneral Mohammad Kazemi,...

Lexo më shumë

Diskutimet për konfliktin Izrael-Iran pritet të dominojnë Samitin e  G7-ës

Diskutimet për konfliktin Izrael-Iran pritet të dominojnë Samitin e  G7-ës
15 Qershor, 2025

Mbahet nga sot deri më datë 17 qershor samiti i radhës i G7-ës, në Kananaskis, Alberta, Kanada. Fillimisht, ishte e...

Lexo më shumë

Flakët ‘përpijnë’ 3 hektarë shkurre! Zjarrfikësit shpëtojnë banesën nga zjarri.

Flakët ‘përpijnë’ 3 hektarë shkurre! Zjarrfikësit shpëtojnë banesën nga zjarri.
15 Qershor, 2025

Në vendin e quajtur Ura e Kardhiqit, në rrugën që të çon drejt fshatit Palokastër, pasditen e sotme një zjarr...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com