Për disa orë gjatë paradites hyrja e makinave nga rrethrrotullimi i Saukut drejt rrugës “Elbasanit” u bllokua nga policia duke shkaktuar kaos dhe paralizuar tërësisht trafikun. Në mënyrë të pakuptimtë një nga tre hyrjet kryesore te kryeqytetit me një milion banorë doli jashtë funksionit.
E gjithë lëvizja e mjeteve u devijua nga policia drejt unazës së madhe pa asnjë paralajmërim për qytetarët.
Tv Klan pyeti në policinë e Tiranës për arsyet e këtij bllokimi. Sipas saj shkak u bë ngarkesa e madhe që ka patur “rruga e Elbasanit” nga bllokimit i bulevardit kryesor. Policia thotë se kjo situatë mund të përsëritet nëse do të ketë fluks të lartë lëvizje. Por Tv Klan ka mësuar se shkak për devijimin e trafikut ketë qenë një aktivitet i kryetarit të bashkisë së Tiranës. Kjo ka bërë që të gjithë qytetarët që vinin nga Elbasani dhe zonat juglindore ta kishin pothuajse të pamundur hyrjen në Tiranë.