Ka nisur mbarë aventura amerikane për jahmir Hykën. Mesfushori i Kombëtares mbrëmë mori fitoren e dytë në po kaq ndeshje të sezonit të rregullt me San Hoze Ërthkuejks, ekipin ku u transferua nga zviceranët e Luzernës gjatë merkatos së janarit.
Skuadra nga Kalifornia mposhti 3-2 në shtëpi me përmbysje kanadezët e Vankuverit dhe në këtë sukses kontribuoi edhe 29-vjeçari shqiptar me një asist për golin e fitores 11 minuta para fundit. Hyka u fut në lojë menjëherë pas pushimit.
Nuk ka shkuar mirë, ndërkaq, për Koloradon e Shkëlzen Gashit, që u thye 1-0 nga Red Bulls në Nju-Jork. Pas mungesës në ndeshjen e parë për arsye dëmtimi, mesfushori shqiptar mbrëmë luajti minutat e para të sezonit pasi u fut në lojë në të 72-n.