Karamoko Dembele është krejt i panjohur për shumëkënd, megjithatë gjatë mbrëmjes së të hënës ai ishte emri më i përfolur në rrjetet sociale. 13-vjeçari u vu në qendër të vëmendjes pasi debutoi me ekipin U-20 të Sëlltikut në fitoren 3-1 kundër Hearts. Deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë, përveç faktit se ai është vetëm 13 vjeç.
Djaloshi u fut si zëvendësues nëntë minuta para fundit, duke marrë vendin e 16-vjeçarit Xhek Eitçison, i cili u bë debutuesi dhe shënuesi më i ri i Sëlltikut U-20 në ndeshjen kundër Madhëruellit në maj.
Me talentin dhe formën që ka shfaqur, nuk do të jetë e largët dita kur Dembele ta thyejë këtë rekord.
13-vjeçari, i cili është titullar në ekipet U-14 dhe U-15, u grumbullua papritur me U20-n pas mungesës së gjashtë lojtarëve të cilët janë të grumbulluar me përfaqësuesen U-19 të Skocisë.
Karamoko Dembele nuk ka kurrfarë lidhje me talentin e ekipit të parë të Sëlltikut, 20-vjeçarin Musa Dembele, i cili mesjavën e shkuar i shënoi dy gola Mançester Sitit në barazimin 3-3 në Ligën e Kampioneve.