Televizioni Klan ka siguruar dy dokumentat me të cilat lëvizte lirshëm deri më datën 6 Mars në Hollandë, Arben Frroku.
Kjo është pasaporta greke e falsifikuar dhe me identitet të vjedhur një shtetasi shqiptar, me banim në Korcë.
Ndërsa kjo është patenta biometrike Greke e falsifikuar ku duket fotoja e Arben Frrokut me identitetin Renato Tsepa (Cepa), vendlindja Shqipëri i datëlindjes 15.11.1967. Kjo patente siç duket është lëshuar me 14.06.2011 dhe kishte afat skadimi deri në qershor të vitit 2031.
Por kush është Renato Cepa?
Televizioni Klan ka mësuar nga burime të Policisë së Shtetit se shtetasi Renato Cepa 49 vjeç jeton në Korçë në Lagjen numër 3, në rrugën “Nesti Dishnica” dhe është babai i tre fëmijëve, ka jetuar për shumë vite në Greqi.
Ky shtetas po kërkohet nga Policia Shqiptare të merret në pyetje si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e falsifikimit të dokumentave të tij.
Arben Frroku u ndalua me datën 6 Mars në Schipol, pranë aeroportit të Amsterdamit, nga një kontroll rutinë i policisë holandeze, për verifikim dokumentacioni.
Ai ka paraqitur një pasaportë dhe patentë greke, me identetin Renato Tsepa, i lindur në Korçë, më 15 nëntor të vitit 1967.
Tv Klan