Piloti spanjoll i McLaren, Fernando Alonso, ka përjetuar sot në garën e Çmimit të Madh të Australisë moment paniku, teksa pa makinën e tij të fluturonte kokëposhtë me 200km/orë, pas një aksidenti me meksikanin Fernando Gutierrez.
Për fat të mirë asnjë problem për spanjollin 2 herë kampion bote, që doli me këmbët e tij nga njëvendshja edhe pse impakti ishte i fortë dhe makina thuajse u shkatërrua e tëra.
“Disa vite më parë, një aksident i tillë do të kishte patur pasoja edhe më të rënda”, tha Alonso pas garës.
Aksidenti solli ndërprerjen e garës për disa minuta, garë që më pas u fitua nga Nico Rosberg.
“Ishte një përplasje e dhunshme. E vështirë të thuash se kush gaboi. Ndoshta frenova me vonesë. Ishte një kombinim gjërash që ndikoi tek ai aksident, por më e rëndësishme është se jemi të gjithë mirë. Pata shumë frikë, pasi shihja qiellin dhe tokën, ndaj them se ishte një
mrekulli. E dija që nëna ime po e shikonte garën, ndaj dola menjëherë nga makina që ta qetësoja. Jam gjallë falë McLaren, që ka bërë një makinë të fortë dhe rregullave të sigurisë së FIAs”, deklaroi piloti spanjoll pas garës së Melburnit.