Manchester United nuk di të fitojë. Pas barazimit 0-0 në kampionat kundër Burnley-it, fundjavën e kaluar, “Djajtë e Kuq” kanë regjistruar një tjetër rezultat zhgënjyes në javën e katërt të Europa League, ku janë mundur në transfertë kundër Fenerbahce-s. Anglezët kanë dhuruar një tjetër paraqitje aspak bindëse dhe tani, përkohësisht, janë jashtë Europës, duke parë se mbajnë vendin e tretë në Grupin A me 6 pikë. Grup që kryesohet nga Feyenoord, që ka barazuar 1-1 me Zorya-n, dhe Fenerbahce me 7 pikë secila.
Ka filluar shumë keq ndeshja për Manchester United që, pas vetëm dy minutash lojë, e ka parë veten në disavantazh. Një magji e Moussa Sow ka zhbllokuar takimin në favor të vendasve, me lojtarin e Fenerbahce-s që ka befasuar mbrojtjen e anglezëve dhe portierin De Gea me një roveshiatë të shpejtë pak brenda zonës së rreptësisë. Lajmet e këqija për “Djajtë e Kuq” kanë vazhduar në minutën e 30-të kur trajneri Mourinho ka qenë i detyruar të zëvendësojë Paul Pogba për shkak dëmtimi. Në vendin e tij është futur Zlatan Ibrahimovic, i cili ka qenë shumë nervoz dhe ka pasur disa fërkime me lojtarët turq.
Në pjesën e dytë, atëherë kur mendohej se do të vinte një reagim nga United, ka ardhur edhe goli i dytë i vendasve, që edhe këtë herë kanë arritur të shënojnë me një gol shumë të bukur. Autori ka qenë Lens, i cili ka ekzekutuar një goditje dënimi perfekte në minutën e 59-të, teksa portieri De Gea nuk ka pasur mundësi të bëjë asgjë. Dhjetë minuta më vonë Emenike ka shpërdoruar një rast të artë për të shënuar edhe golin e tretë. Një gabim ky që është ndëshkuar nga miqtë, të cilët kanë ngushtuar diferencat me Rooney në minutën e 89-të. Një gol ky që ka ardhur shumë vonë, me sfidën që është mbyllur 2-1.