Policia e Shtetit po vijon kontrollet në rrugët e vendit për kapjen e shkelësve të Kodit Rrugor.
Në një njoftim për mediat autoritetet bëjnë me dije se makina inteligjente dhe flota e re e automjeteve, të pajisura me radarë dhe lexues automatikë të targave që funksionojnë ne lëvizje, gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, janë përqëndruar në rrugët e kryeqytetit.
Si rezultat i kontrolleve 185 leje drejtimi janë pezulluar, për shpejtësi nga 80 km/h deri në 132 km/h, në rrugët e brendshme të kryeqytetit, si rezultat i përdorimit të makinës inteligjente.
Nga flota e makinave të reja, në lëvizje:
٠janë konstatuar 256 automjete, të shpallura më parë “Alert”, si rezultat i përdorimit të makinës inteligjente, për tejkalim të shpejtësisë mbi normat e lejuara;
٠janë konstatuar 121 automjete, drejtuesit e të cilave nuk kanë shlyer 6 deri në 20 gjoba të marra në kohë dhe në vende të ndryshme.
Gjatë përpunimit të të dhënave, nga operatorët, ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm i automjeteve të konstatuara, nga makina inteligjente, se qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, në rrugët e kryeqytetit, por edhe në rrugët e qyteteve të tjera, të cilat janë monitoruar nga makina inteligjente dhe pajisjet e tjera të flotës së re, janë mjete të transportit publik “Taxi” dhe disa minibusë që shërbejnë për transport pasagjerësh.
Makina inteligjente dhe flota e makinave të reja, me mjete bashkëkohore do të vijojnë kontrollet, me afate të shkurtra kohore, në të gjitha qytetet e vendit, në akset kryesore nacionale dhe në ato rurale.