Seanca e fundit e diskutimeve plenare për buxhetin e shtetit në Parlamentin turk u shënua nga tensione të larta dhe përplasje të dhunshme mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Mbrëmjen e së dielës, përplasjet verbale mes përfaqësuesve të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe Partisë Republikane Popullore (CHP) u përshkallëzuan në përleshje me grushte brenda sallës së Kuvendit.
Për rreth 10 minuta, deputetët e mbledhur rreth podiumit kryesor në qendër të sallës, u përplasën me njëri tjetrin fizikisht dhe verbalisht, në skena që bënë shumë shpejt xhiron e botës.
Sipas mediave turke, incidenti nisi pas një debati të ashpër mes deputetit të partisë në pushtet, AKP nga qyteti i Bursës, Mustafa Varank, dhe nënkryetarit të grupit parlamentar të opozitës, CHP-së, Gökan Günaydin. Nga foltorja, Varank kritikoi drejtimin e CHP-së dhe politikat e bashkive të drejtuara nga opozita, deklarata që u konsideruan provokuese nga deputetët opozitarë.
Reagimi i Günaydin ishte i menjëhershëm, duke akuzuar mazhorancën për nxitje të tensioneve dhe sulme të vazhdueshme ndaj pushtetit vendor të opozitës. Situata u përkeqësua edhe më tej me përfshirjen e Ali Mahir Başarır, një tjetër nënkryetar i grupit parlamentar të CHP-së, gjë që shërbeu si katalizator i përleshjes fizike mes deputetëve të dy krahëve.
Në sallë ndodheshin edhe kryetari i CHP-së, Özgür Özel, si dhe kryetari i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, Devlet Bahçeli, por asnjëri prej tyre nuk ndërhyri drejtpërdrejt për të ndalur incidentin.
Kryetari e Parlamentit, Numan Kurtulmuş, u detyrua të ndërpresë seancën ndërsa forcat e sigurisë e patën të vështirë të përmbanin deputetët e zemëruar të përfshirë në konflikt. Përplasjet vazhduan edhe gjatë pezullimit të përkohshëm të seancës. Pas rifillimit të punimeve, Kuvendi miratoi Buxhetin e Qeverisë Qendrore për vitin 2026 me 320 vota pro dhe 249 kundër.














