Ndërsa një debat i madh ka përfshirë vendin për ligjin që pritet të votohet sot në parlament, për lejimin e importit të mbetjeve, këto video tregojnë se në fakt, situata është prej kohësh skandaloze dhe alarmante në Shqipëri.
Me apo pa ligjin e ri, referuar denoncimit që ka mbërritur në redaksinë tonë, në Shqipëri po digjen plehra të importuara.
Videot që shihni janë filmuar në zonën e “Spitallës” në Durrës, pranë Universitetit të ri. Shtëllunga të mëdha tymi ngrihen në qiell, duke vështirësuar jetesën e banorëve të zonës.
Të kontaktuar nga Opinion.al, banorët të zonës thonë se maunet me plehra vijnë nga porti i Durrësit. Pra bëhet fjalë për mbetje të importuara.
“Është diçka që e dinë të gjithë se vijnë porti, por nuk ndihet njeri..”-tha denoncuesi për Opinion.al
“Ky zjarr plehrash nuk fiket kurrë në këtë zonë, prej dy vjetësh vijon e njëjta situatë. Është një krim që i behët banorëve të zonës”-thotë denoncuesi.
Ai shton se për “këtë situatë janë në dijeni institucionet e Bashkisë dhe Agjensia Rajonale e Mjedisit, por askush nuk zgjedh të reagojë”.
Opinion.al