Ky është momenti kur Olsi Bllaci plagos me armë zjarri fqinjin e tij, Jonian Shehu pas një konflikti për motive banale, ngjarje e regjistruar mbrëmjen e së enjtes në zonën e njohur si ‘Kodra e Diellit’ në Tiranë.
Tv Klan ka siguruar ekskluzivisht pamjet nga kamerat e sigurisë të një prej pallateve pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Fillimisht konflikti ka qenë verbal dhe më pas ka degraduar në përdorimin e armës.
Siç shihet dhe nga pamjet 35-vjeçari Shehu del nga pallati me vrap në tentativë për t’u larguar, por Olsi Bllaci e ndjek nga pas për ta qëlluar.
Ndjekja vazhdon për disa sekonda deri sa Bllaci hap zjarr në drejtim të fqinjit të tij, që ndonëse i plagosur arrin të largohet me vështirësi nga ngjarja.
Në pamjet e siguruara shihet se shfaqet dhe një zonjë e cila rezulton të jetë bashkëshortja e Olsi Bllacit, i shpallur në kërkim për këtë ngjarje.
Referuar hetimeve të kryera nga policia dhe prokuroria shkak i konfliktit është bërë zhurma që bënte fëmija i mitur i autorit të dyshuar, që mesa duket ka shqetësuar 35-vjeçarin e plagosur.
Ka qenë bashkëshortja e tij që fillimisht ka debatuar me autorin e dyshuar e që më pas situata ka degraduar deri sa Olsi Bllaci qëlloi me armë ndaj Jonian Shehut duke e plagosur.
Ky i fundit aktualisht vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën./Tv Klan