TIRANE-Qytetarët kanë denoncuar publikisht Bashkinë e Tiranës e cila ka nisur një projekt në lulishten tek ish-Fusha e Aviacionit, pjesë e të cilit duket se është edhe shkulja e pemëve.
Ajo ç’ka shihet dhe kuptohet në këtë video, filmuar nga qytetarët shihen punonjësit e Bashkisë të cilët shkulin kumbullat e kuqe që janë mbjellë pak vite më parë në këtë lulishte.
Sakaq, Bashkia e Tiranës pas publikimit të kësaj videoje nga TV Klan, sqaron se nuk bëhet fjalë për shkulje pemësh por për zëvendësim të tyre. “Po shkulim disa kumbulla të kuqe dhe po mbjellim disa gorica të bardha”, sqaroi Bashkia për Opinion.al. “Do të bëhet një kombinim i pemëve në lulishte dhe apo që po shkulen do të rimbillen sërish në të njëjtin park”, thotë Bashkia e Tiranës, duke i kërkuar edhe qytetarëve të qetësohen.