Alket Rizai, shqiptari që u bë i famshëm për tentativën e arratisjes nga burgu i Malandrinos në Greqi në mars të vitit 2013 është dënuar me burg sërish nga Gjykata e greke e Apelit.
Transferimi i tij në Gjykatën e Apelit të Lamias u krye nën masa të rrepta sigurie. Forcat Speciale greke EKAM kishin blinduar zonën gjatë transferimit të shqiptarit.
Rizai, më 17 mars të vitit 2013 mori peng 5 gardianë burgu në Malandrino dhe tentoi të arratisej nga ky burg.
Ai kishte siguruar në qelinë e tij eksplozivë dhe armë të tjera. Pas një operacioni policor në atë kohë, ai u dorëzua pas 24 orësh.
Megjithatë, Rizai tha sot para gjykatës se nuk kishte ndërmend t’u bënte keq gardianëve. “Nuk kisha si qëllim t’u bëja keq.
“Të gjithë të burgosurit duhet të kenë të drejtë lirie aq sa mos të dëmtojnë lirinë e tjetrit”, tha Rizai.
Ai më tej u justifikua se ishte në efektin e drogës kur kreu pengmarrjen. I pyetur nga prokurori për tentativën e mëparshme për arratisje me helikopter, Rizai tha se herën e parë u burgos në mënyrë të padrejtë.
Gjykata e ka dënuar me 10 vjet burg dhe ai pritet që të dalë me herët sepse ka kryer një pjesë të mirë në paraburgim. “Nuk jam as shenjtor dhe as djall, ju bëni ç’të doni por pas një viti e gjysmë do të dal që këtu”, ka thënë Rizai.
Alket Rizai është dënuar për vrasjen e tre personave, dy tentativa arratisjeje, një prej të cilave me helikopter dhe për trafik droge.