Aktualitet

Vettingu në polici, Kuvendi rrëzon Dekretin e Metës


               Publikuar në : 14:45 - 16/05/19 |
el ida

Ashtu siç pati paralajmëruar mazhoranca rrëzoi me 79 vota dekretin presidencial, i cili riktheu për rishqyrtim ndryshimet në ligjin për vettingun në polici. Në foltore doli vetë Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, për të hedhur poshtë argumentet e Presidentit se qeveria po ndikon politikisht procesin me ndryshimet e reja.

“Ka filluar tashmë e kundërta, një frymë anti-vetting mbi të cilin po diskutojmë dhe sot. Ligji që është marrë në shqyrtim në parlament për herë të dytë nuk ndryshon aspak në substancë nga i pari për arsye se ndryshimet e bëra në ligjin e dytë janë të natyrës kozmetike që nuk prekin aspak thelbin e ligjit të vjetër. Për arsye se ligji i parë parashikonte kryerjen e procesit të vettingut për të gjithë anëtarët e policisë së shtetit dhe ky vlerësim do kryhet edhe me ligjin e ri. Edhe në ligjin e ri komisioni i jashtëm do të kryejë kontrollin e drejtuesve të policisë së shtetit. Në ndryshimet e bëra prapë do të angazhohen punonjës që janë në varësi të Ministrit të Brendshëm, pra SHCBA, pra në substancë do të thotë që asnjë ndryshim mes ligjit të ri dhe të vjetrit,” tha ndër të tjera ai.

Ministri argumentoi se nuk humbet pavarësia e organeve që do të bëjnë vettingun në policinë e shtetit.

“Organi kryesor që bën vlersimin e drejtuesve të lartë të policisë së shtetit është komisioni i jashtëm. Pastaj edhe për merakun tjetër që në fazën e dytë dhe të tretë që futet SHCBA-ja në lojë thashë që ajo ka qenë e futur në lojë që në ligjin e parë. Përse duhet rrëzuar ky lloj argumentimi? Duhet rrëzuar sepse nëqoftëse nuk rrëzohet ne rrëzojmë vettingun. Vettingu sipas ligjit të vjetër duhet mbyllur në mars të vitit 2020, sot jemi në maj të 2019 dhe ende nuk ka filluar dosja e parë. A mund të mbyllen dosjet e 14 mijë vetave për disa muaj ndërkohë që vettingu i 100 gjyqtarëve ka marrë vite?”, shtoi ministri Lleshaj.

Në mungesë të opozitës, asaj jashtë parlamentare, kreun e shtetit e mori në mbrojtje deputetja e listës së LSI-së Edlira Hyseni./ Opinion.al

Pas