“Javën që vjen mbyllet historia me paketën ligjore të reformës në drejtësi”. Kështu u shpreh sot në përfundim të mbledhjes së komisionit, anëtari socialist Pandeli Majko. Përballë optimizmit të tij për t’i mbyllur për një javë, demokrati Oerd Bylykbashi duket më skeptik kur deklaron se këto ligje do të mbyllen në dy faza.
Opozita ka kërkuar më shumë kohë për 6 ligjet e tjera të paketës së reformës, duke e ndarë kalimin e tyre në dy seanca, atë të 22 shtatorit dhe atë të 29 shtatorit.
Mazhoranca ka pranuar kërkesën e demokratëve por Pandeli Majko theksoi se socialistët nuk kanë ndërmend të zgjasin punën në komision përtej javës së ardhshme.
Edhe Petrit Vasili i LSI nënvizoi se procesi i kësaj pakete përfundon brenda shtatorit.
Pjesë e kësaj pakete është edhe ligji i Vetingut që u miratua në seancën e jashtëzakonshme të gushtit vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita e cilësoi draftin antikushtetues./ABCNEWS