John Sato, 95-vjeç, është veteran i Ushtrisë së Zelandës së Re gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ditën e shtunë, ai bëri një udhëtim të gjatë për të marrë pjesë në manifestimin kundër racizmit në Auckland. Atij i është dashur të ndërrojë katër autobusë, për të mbërritur në vendin ku u zhvillua tubimi.
I intervistuar nga Radio Zelanda e Re, Sato tha se kishte mbetur shumë i prekur nga atentati që tronditi jo vetëm vendin e tij, por edhe gjithë botën. “Nuk kam vënë gjumë në sy gjithë natën, pasi mora vesh lajmin. Është e rëndësishme që të kuptojmë se jemi një popull i vetëm, nuk ka rëndësi raca, duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin”, ka thënë ai.
Fotoja ku John Sato mbërrin në manifestim i ndihmuar nga një efektiv policie dhe një pjesëmarrës tjetër, po bën xhiron e botës si simbol kundër racizmit dhe diskriminimit./Opinion.al