Kreu i Autoritetit të Auditimit Financiar në Venezuelë ka thënë se do të dënojë me 15 vjet pezullim nga detyrat publike liderin e opozitës Juan Guaido. Ai akuzohet për parregullsi financiare, e më specifikisht, sipas këtij institucioni nuk ka deklaruar se ku i ka gjetur paratë për udhëtimet që ka bërë jashtë shtetit, shpenzime që kapin shifrën e 94 mijë dollarëve.
Ky dënim do të hyjë në fuqi nëse Guaido do të vendosë të rikandidojë si Kryetar i Asamblesë Kombëtare, post që e mban aktualisht. Vendimi u kritikua ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, pasi shihet si një formë për të penguar lëvizjen kundër presidentit aktual të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Në muajin janar, Guaido u vetëshpall president i përkohshëm i vendit dhe prej atëherë ka marrë mbështetjen e shumë qeverive të huaja, përfshi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian./Opinion.al