Opozita i është bashkuar këtë pasdite protestës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Pas artistëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile, në sheshin përpara Ministrisë së Brendshme është bashkuar edhe kreu i opozitës Lulzim Basha me eksponente të tjerë të kësaj partie.
Në fjalën e hapjes së protestës, Robert Budina u bëri thirrje pjesëmarrësve të mos bien pre e provokimeve, ndërsa njoftoi se në protestë do të flasin vetëm mbrojtësit e teatrit, duke lënë të kuptohet që nuk do të ketë fjalime nga përfaqësuesit e opozitës, që i janë bashkuar kësaj proteste.
“Armiku numër një nuk është vetëm qeveria që kemi në krye por edhe mënyra se si jemi përleshur me njëri-tjetrin. Stop! Tregoni vlera. Palët politike duhet ta gjejnë mënyrën se si t’i shërbejnë njëri-tjetrit. Sot jemi mbledhur për ta çuar deri në fund këtë kauzë. Në këtë protestë do të flasin vetëm mbrojtësit e Teatrit. Për të eliminuar të gjitha keqkuptimet, sot e kemi bërë listën vet”, tha Budina duke ja lënë fjalën më pas aktorit Neritan Liçaj./ Opinion. al