Vendet anëtare të Bashkimit Europian po vënë në zbatim një bojkot të plotë të presidencës hungareze të bllokut. Kjo po bëhet për ta bërë Budapestin të padëmshëm dhe të parëndësishëm.
Duket se kjo është lëvizja e ndërmarrë nga dhjetëra shtete të BE-së për të dënuar misionin e paqes të kryeministrit Viktor Orban në Rusi dhe Kinë. Madje edhe në samitin e NATO-s në Uashington, liderët europian u pajtuan që të shmangin përplasjen e drejtpërdrejtë me Viktor Orban.
Komiteti i ambasadorëve të BE-së protestoi për misionin e pakoordinuar të Hungarisë me deklaratat e kryeministrit pranë Putinit dhe Shi Xhinpin që bien ndesh me qëndrimin zyrtar të Brukselit. Një tjetër vendim që po merret në konsideratë është për të bojkotuar presidencën hungareze në çdo takim, duke dërguar zyrtarë vetëm në disa evente apo takime. Gjithashtu kryeministrit Orban nuk do t’i jepet asnjë pozitë politike.