Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ka sulmuar opozitën nga takimi me socialistët e Laprakës dhe Njësisë 11 ditën e sotme.
Gjatë fjalës së tij, ai komentoi protestat e opozitës para bashkisë dhe tha se e vetmja alternativë që ofron PD-ja në 2024 është djegia e gomave dhe sulmet me molotovë.
”Më pyesin njerëzit pse nuk u përgjigjesh atyre. Po kujt t’i përgjigjem? Aq goma sa djegin ata, ne kemi ndërtuar shkolla të reja. E kisha atë kandidatin në zgjedhje dhe u rrah me 60 mijë vota. E shoh në çdo protestë, ka më shumë flokë. Aq sa mbjell ai flokë në kokë, ne kemi bërë shkolla në Tiranë. Është diferencë shumë e madhe.
Sot, të jesh në opozitë është super sport. Ti mund të shkosh të djegësh goma te Parlamenti, te Kryeministria, te Bashkia. Ky vetëm lyen flokët. Thashë me vete ku i del koha këtij, se s’ka bërë asnjë shkollë, vetëm lyen flokët! Kjo është të qeshësh e të qash. Viti 2024, varianti i opozitës është digj goma, mbill flokë. Ky është varianti i tyre”, tha ai.