Kryetari i Bashkisë së Tiranës që shihet çdo ditë e më shumë pranë Ramës duke rivalizuar kreun e PS-së për Tiranën Saimir Tahirin, sot ka bërë një premtim të madh për zonën e Kombinatit. Është pikërisht zona ku është zgjedhur Tahiri deputet.
Veliaj mbrëmë ishte përkrah Ramës në darkën me Metën e Vasilin ndërsa sot u shfaq në Kombinat duke inspektuar një shkollë.
“Shkolla ‘Betim Muço’ është lajm i mirë jo vetëm për Kombinatin dhe lagjen, por besoj edhe një lajm fantastik për prindërit e 1200 nxënësve që do ta frekuentojnë atë”, tha Veliaj.
Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Kombinati do të kthehet në një nga poliqendrat e kryeqytetit, duke bërë të ditur se shumë shpejt do të nisë puna edhe për transformimin e tregut të kësaj zone sikurse Pazari i Ri.
“Kemi marrë disa vendime të tjera, për ta kthyer Kombinatin në një zonë të poliqendrave të Tiranës. Së pari, shkolla dhe së dyti, tregu këtu pranë. Siç bëmë me “Pazarin e Ri”, edhe në Kombinat, me një treg modern”, nënvizoi Veliaj.
Ai dha edhe një mesazh politik.
“Kemi kuptuar se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë. Duke qenë konstruktiv, duke ofruar konsensus mund t’i ofrojmë vendit një qeverisje të qëndrueshme si në Shqipëri, ashtu edhe në qytetin Tiranës”, u shpreh Veliaj një dite pas darkës me dy krerët e koalicionit. /Opinion.al