Kopshti “4 stinët” ose ish-kopshti nr.45 në Njësinë Administrative Nr. 5 në Tiranë ka marrë një pamje krejt të re. Punimet e kryera u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shoqërohej nga deputeti i PS, Pandeli Majko, të cilët panë nga afër kushtet që ofron për fëmijët kopshti i rikonstruktuar.
Kryebashkiaku Veliaj falenderoi jo vetëm stafin e edukatorëve që shërbejnë në kopsht, por edhe donatorët që iu përgjigjën thirrjes së Bashkisë për të adoptuar 23 kopshtet e Tiranës dhe për t’i shndërruar ato në institucione të denja për të rritur më të vegjlit e qytetit.
“Më vjen mirë që teksa i afrohemi 21 qershorit, bëjmë bilancin e vitit tonë të parë në Bashkinë e Tiranës; një bilanc, i cili është fokusuar kryesisht te fëmijët dhe më vjen mirë që për herë të parë në historinë e këtij qyteti, kemi listë pritje dhe radhë të gjata për të regjistruar fëmijet në kopshtet dhe çerdhet publike. Ky është komplimenti më i madh që na japin qytetarët e Tiranës”, tha Veliaj.
“Për herë të parë në kopshtet e Tiranës po futen shërbime të veçanta për fëmijët autikë ose me sindromën dawn, pasi ne besojmë se të gjithë fëmijët janë të veçantë, e disa prej tyre kanë nevojë për më shumë ndihmë për të treguar talentin”, vijoi ai.
Ndërkohë, deputeti i PS, Pandeli Majko, falenderuar Bashkinë e Tiranës për vëmendjen që i ka kushtuar çerdheve dhe kopshteve të qytetit. “Është bërë një punë e shkëlqyer! Situata me kopshtet dhe çerdhet ka qenë një problem për komunitetin e njësisë 5. Puna flet vetë! Deri dje ishin me lagështirë, sot edukatoret ndihen krenare për këto kushte kaq të mira”, tha Majko.