Aktualitet

Veliaj: Është koha për një ambasadë të Norvegjisë në Tiranë



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 15:35 - 28/09/22 |
Opi Nion

Bashkia e Tiranës dhe komuna Kristiansand në Norvegji do të bashkëpunojnë për projekte vullnetare për të rinjtë e të dyja vendeve dhe vendosjen e urave të ndërveprimit mes dy qyteteve. Një delegacion norvegjez, i përbërë nga drejtues të partive politike në këtë vend, përfaqësues organizatash dhe projektesh vullnetare ndërkombëtare, u prit edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Kristiansand është një qytet i rëndësishëm në Norvegji, që ka përqafuar një komunitet të jashtëzakonshëm shqiptarësh, rreth 1000, të cilët jetojnë e punojnë aty. Për sa kohë që 165 kombësi jetojnë në harmoni edhe në një qytezë më të vogël se Tirana, do të thotë se formula funksionon: Njerëzit mund të bashkëjetojnë, të përfitojnë nga kulturat e njëri-tjetrit, të bëjnë përpara së bashku. Ndaj, më vjen mirë që kemi një program shkëmbimi mes të rinjve vullnetarë,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës shfrytëzoi këtë takim për të shprehur edhe nevojën e një ambasade të Norvegjisë në Tiranë.

“Ne duhet të kemi një ambasadë të Norvegjisë në Tiranë dhe ka ardhur koha ta konsiderojmë këtë vendim. Kushdo që është i rëndësishëm në rajonin tonë, është në Tiranë, prandaj nëse doni të jeni të rëndësishëm, siç është Norvegjia e rëndësishme në Shqipëri, me shumë investime strategjike në rrjetin tonë energjetik, besoj se edhe nga ana politike ka ardhur koha të kemi një përfaqësi diplomatike të Norvegjisë në Tiranë. Unë do loboj, por me shpresë loboni edhe ju sepse besoj se mund ta bindim qeverinë në Oslo, që të kemi një mision përfaqësues edhe për faktin se kemi një urë fantastike bashkëpunimi të diasporës shqiptare. Për sa kohë që shoqëria jonë është kaq fort e lidhur, është vetëm çështje kohe që edhe diplomacia dhe politika ta noterizojnë këtë lidhje”, tha Veliaj.

Nga ana e tij, zv/Kryetari i Komunës së Kristiansand, Erik Rostoft, u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar edhe në projekte të tjera të rëndësishme.

“Është kënaqësi të jemi këtu në Tiranë dhe të përjetojmë mikpritjen tuaj. Po shohim se ka shumë fusha në të cilat mund të bashkëpunojmë. Edhe Norvegjia është një vend i vogël po ashtu, por ne vlerësojmë metodat tona të dialogimit dhe mendoj se mund të bashkëpunojmë me njerëzit këtu më së miri. Aktualisht po punojmë për “një qytet për të gjithë” dhe mendojmë se ky është një koncept i mirë për t’u përcjellë edhe në Shqipëri. Ne do të ndajmë me ju eksperiencën tonë dhe do të përpiqemi t’ju ndihmojmë në këtë drejtim. Gjithashtu, u njohëm me çështje dhe nisma interesante në vendin tuaj. Le të shpresojmë se ky është vërtet fillimi i një miqësie të mirë dhe që gjithashtu të bëjmë gjëra së bashku, për ta bërë të ardhmen sa më të mirë,” deklaroi Rostoft.

Kjo nisma e zhvilluar prej më shumë se dy vitesh kulmon në vitin ku Tirana është shpallur Kryeqyteti Europian i Rinisë nën zbatimin e Organizatës “Projekte Vullnetare Ndërkombëtare” me mbështetje të Kongresit Rinor Kombëtar.

 

Pas