Aleks (Abaz) Laçi rezultonte i zhdukur prej datës 11 Dhjetor. Familjarët kishin denoncuar se është larguar nga shtëpia dhe në komunikimin e fundit u ka dhënë se ndodhej në Sarandë. Dje, trupi i 30-vjeçarit me origjinë nga Dibra, që jetonte në Tiranë (Bathore) ka rënë në rrjetat e peshkatarëve në vendin e quajtur ‘Pllakat’ në Sarandë.
Pas denoncimit të familjarëve, policia nisi kërkimet dhe para dy ditësh gjeti në bregdetin e Sarandës pasaportën dhe rrobat e tij. Mbrëmjen e djeshme trupi i pajetë është nxjerrë rastësisht, kur është konstatuar nga peshkatarët se në rrjetat e peshkut kishte një kufomë. Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje, ndërsa fillimisht dyshohet se bëhet fjalë për një vetëvrasje.