Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar në lidhje me vdekjen Mentor Rexhës në Francë. Përmes një njoftimi për mediat, ministria sqaron se sipas autoriteteve të policisë franceze, Rexha është vetëvrarë në ambientet e burgut të qytetit Lorient gjatë natës së 31 janarit 2020.
Ndërkohë familjarët e të riut kanë ngritur akuza se djali është vrarë në burg, duke publikuar dhe foto trupit të të riut.
Ministria thotë se familjarët kanë vënë në dijeni ambasadën shqiptare në Francë për rasti dhe më pas kanë mundur të vizitojnë trupin e të riut në morg. Por, kur familjarët janë rikthyer në ambasadë, kanë deklaruar se kanë konstatuar shenja dhune në trupin e Mentor Rexhës, gjë e cila hedh dyshime se ai nuk është vetëvrarë.
Ambasada shqiptare në Francë duke u nisur nga pretendimet e familjarëve, ka kërkuar informacion nga autoritetet franceze mbi ngjarjen dhe ka sugjeruar që paralelisht familja e të ndjerit të kontaktojë një avokat për ndjekjen e çështjes nga ana ligjore.
Ndërkohë, ambasada ende është në pritje të një informacioni zyrtar më të detajuar nga ana e autoriteteve policore dhe gjyqësore franceze, në lidhje me të gjitha pretendimet dhe dyshimet e ngritura nga të afërmit e Rexhës.
Në lidhje me procedurat e kthimit të trupit të shtetasit Mentor Rexha në Shqipëri, ambasada i ka informuar familjarët, sipas legjislacionit në fuqi.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe Ambasada shqiptare në Francë po bashkëpunojnë me autoritetet franceze për kthimin e shpejtë të trupit Mentor Rexha në Shqipëri./ Opinion.al