Petrit Vasili, kreu i grupit kuvendor të LSI nuk pranon të komentojë emra që Rama përfshiu në kabinetin qeveritar.
Por për te ajo që nga kryeministrit u cilësua si ristrukturimi i Ministrive mund të emërtohet vetëm si destrukturim.
Në një intervistë për Tv Klan Vasili flet për arsyet që sipas tij e kanë udhëhequr Ramën në këtë vendim.
“Kemi një mosqeveri pa strukturë, me superministri të cilat do të favorizojnë një përvetësim më të lehtë dhe një gllabërim më të lehtë të fondeve qeveritare, të cilat të mbledhura në pak duar nuk do të ketë rrjedhje”.
Filozofinë e tij për të përqendruar pushtetin në pak duar sipas Vasilit, kryeministri po e ndjek dhe në nivelin e administratës ku është paralajmëruar një reformë e thellë. Por përjashton çdo mundësi që ajo të ketë për qëllim goditjen e njerëzve të LSI.
“Ky modeli i kooperativizmit, është një model i dështuar, i prapambetur por tregon edhe një mendje të çoroditur qeveritare. Bashkimi i Ministrisë së Financave me atë të Ekonomisë dhe Ministrisë së Punës ka lidhje me LSI. Kjo kooperativë e re e krijuar çlidhje ka me LSI? Do të thotë që kemi një turbullim qeveritar”.
Shkrirja e Ministrisë së Integrimit për Vasilin është dëshmi se kryesocialisti nuk e do këtë proces pasi nuk do rregullat që imponon të qenit një vend i familjes europiane.
“Është mesazhi më negativ që mund të ketë dhënë për procesin e integrimit në 25 vjet, është një deklarim i qartë i Kryeministrit që ai nuk e do integrimin, e bezdis integrimi, sigurisht normat në të cilat integrimi të imponon të ecësh, natyrshëm duhej eliminuar dhe unë nuk do çuditesha fare dhe të mos ketë fare as një drejtori të integrimit në qeverinë Rama”.
Përsa i përket integrimit, Vasili thotë se LSI mund të bashkëpunojë me qeverinë. LSI është angazhuar për opozitë të fortë dhe që pas humbjes në zgjedhje ka qenë edhe më aktive se Partia Demokratike në qëndrimet kundër ekzekutivit, edhe pse vazhdon të ketë 4 poste ministrore në këtë qeveri.
Intervista e plotë
- Vasili këtë fundjavë z. Rama bëri të njohur përbërjen e kabinetit të ri qeveritar. A do të kishit ju një koment për ministrat që do të jenë në këtë kabinet qeveritar, emrat e rinj, emra që rikonfirmohen?
S’kam asnjë koment, jam tërësisht indiferent ndaj çdo emri ministri. I vetmi shqetësim madhor për mua, por besoj edhe për çdo qytetar është një shfaqje e një qeverie të destrukturuar, pasi po vetë ky Kryeministër si duket me një papërgjegjshmëri që e karakterizon këto katër vjet qeverie dhe përmbysi e destrukturoi të njëjtën qeveri për të cilën u investua po vetë, për të cilën u investuan fonde evropiane pa fund. Kini parasysh Ministrinë për Inovacionin dhe Administratën Publike, apo Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, të cilat u shitën si histori të mëdha suksesi. Të mos flas pastaj për denatyrimin përfundimtar të Ministrisë së Shëndetësisë etj. Dua të them që preokupacioni madhor është një mosqeveri, pa strukturë, sigurisht me super ministri të cilat do favorizojnë një përvetësim më të lehtë dhe gllabërim më të lehtë të fondeve qeveritare, që duke u mbledhur në pak duar nuk do të kenë rrjedhje lart e poshtë, por do të jenë të gjitha atje ku duhen.
Po fakti që nuk do të kemi më një Ministri Integrimi, do të jetë vetëm një Zv.Ministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i cili do të merret me të gjithë procesin e hapjes së negociatave me BE-në?
Është mesazhi më negativ që mund të jetë dhënë për procesin e integrimit në këto 25 vjet. Është një deklarim i qartë i Kryeministrit, që ai nuk e do, nuk e beson dhe e bezdis integrimi, sigurisht normat të cilat integrimi të imponon të ecësh, qoftë edhe orientimi që direktivat evropiane japin për disiplinimin e fondeve, strukturave. Është tërësisht në filozofinë dekonstruktive që ai ka. Nuk do çuditesha fare të mos ketë as edhe një drejtori integrimi në qeverinë Rama, pasi integrimi i Ramës nuk është drejt Evropës, por drejt realiteteve të tjera të errëta e të dyshimta.
Po ndërhyrja që po bëhet në të gjitha agjencitë apo drejtoritë, fakti që të gjitha do të shkrihen apo bashkohen. Si ju duket kjo reformë që ka ndërmarrë z. Rama?
Kjo reformë është shumë e qartë që është gatuar nga duar të tjera, të cilat janë demonstruar më të ditura, që e kanë përdorur në mënyrë cinike paditurinë e Kryeministrit në punët e qeverisë. Ai është i paditur nga punët e qeverisë, nuk është nga ata që ulet e thellohet. Disa të tjerë hiqen si të mençur, që kanë bërë edhe disa reforma të tjera në shtetin shqiptar, si reforma e famshme në arsim, që e çoi para atje ku duhej: në duart e privatëve. Praktikisht, është hedhur poshtë është rrënuar një investim shumëvjeçar i shumë agjencive evropiane, të cilat kanë investuar para të shumta për konsolidimin e këtyre trupave të inspektimit. Të mos harrojmë që ka pasur një reformë të inspektimit, që përfundoi në 2011-2012, e cila reduktoi shumë inspektorate sipas një modeli evropian të imponuar pikërisht nga Evropa për të racionalizuar e prurë në parametra jo të tepruara.
Detyra ishte për të vënë njerëzit e duhur, kontrollin e duhur dhe për të krijuar funksionalitetin e duhur. Duke dështuar, pasi të gjitha drejtimet ishin klienteliste, u ndoq ky modeli i kooperativizmit, model edhe i dështuar, edhe i prapambetur, edhe një mendje e çoroditur qeveritare. Nuk kemi më as një sistem qeveritar të strukturuar, as një sistem të agjencive, të cilat janë instrumente të qeverisë të strukturuara në mënyrë të qartë qartë. Gjithçka Evropa investoi, qoftë në drejtim të strukturës qeveritare, qoftë në drejtim të strukturës së inspektorateve dhe agjencive të tjera, praktikisht ka rënë. Investimi 25-vjeçar i Evropës sot është në tokë. Bashkë me heqjen dhe asgjësimin e Ministrisë së Integrimit, praktikisht nuk kemi më të bëjmë as me qeveri të orientuar kah Evropa, as me drejtim evropian. Është një drejtim tjetër, do të dalë më vonë se ç’drejtim jemi, por aksi ynë nuk është më drejt Evropës, por në drejtime të tjera që janë në të kundërt me Evropën.
A mendoni se ky drejtim, që sipas jush ende nuk është bërë i ditur i z. Rama, është pikërisht për të goditur ato ministri, siç është Ministria e Integrimit, apo e Ministra e Transportit, agjencitë e tjera, drejtoritë e bujqësisë, që në këto katër vite janë drejtuar nga përfaqësues të LSI-së, ka qenë e qëllimshme pikërisht për të goditur apo për të larguar këto njerëz nga administrata?
Kam një përgjigje të thjeshtë. Bashkimi i Ministrisë së Financave, të Ekonomisë dhe Ministrisë së Punës ka lidhje me LSI-në? Jo. Absolutisht. Të gjitha janë drejtuara nga Partia Socialiste. Kjo kooperativë e re e krijuar, ç’lidhje ka me LSI-në? Do të thotë që kemi një turbullim qeveritar dhe një pikë të qartë: grumbullim të të gjitha parave në pak duar, që të mos ketë firo në ato para që duhet të ketë në duart e saj. Kaq, është shumë e thjeshtë.
Data 9 shtator është dekretuar nga Presidenti Meta për t’u mbledhur Kuvendi i ri i Shqipërisë. Z. Meta gjatë fushatës kishte deklaruar disa herë që nëse zgjedhjet do të ishin të manipuluara ai nuk do ta dekretonte qeverinë e re. A mendoni se duhet ta dekretojë z. Meta këtë qeveri duke pasur parasysh edhe akuzat që ju keni bërë herë pas here për zgjedhjet?
Unë vazhdoj të kem të njëjtat akuza po themi, pasi janë të provuara gjerësisht, jo vetëm nga ne, por edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e në terren të SHBA-ve apo dhe vendeve të tjera. Gjithçka që kemi thënë për zgjedhjet, pra që kishim zgjedhje të kriminalizuara, zgjedhje të blera, zgjedhje që u ndikuan nga paratë e krimit e të drogës dhe ku policia u asgjësua sidomos pas deklaratës së Kryeministrit, që forcat e rendit duhet të punonin për të marrë vota dhe siç pohoi po dje paska qenë një polici që ka luajtur edhe më dy porta. Se si ka bashkëjetuar ky Kryeministër me një polici që qenkësh e suksesshme, por edhe luante me dy porta, vetëm çoroditja e këtij Kryeministri mund ta provojë.
Gjithçka kam deklaruar në cilësinë e përfaqësuesit politik të LSI-së, nuk i ndryshoj asgjë. Sa i takon raporteve përfundimtare që do të paraqesin ndërkombëtarët për zgjedhjet është diçka tjetër.
Ndërsa, se cilat janë qëndrimet e Presidentit të Republikës, kam pasur një princip që nuk e ndryshoj sa kohë që unë të jem në politikë: nuk kam komentuar dhe nuk kam imponuar asnjë nga vendimet që ka marrë qoftë z. Nishani apo qoftë z. Topi dhe absolutisht nuk futem në komente apo interpretime që lidhen me qëndrimet që mban Presidenti i Republikës në rastin konkret, z. Ilir Meta.
- Rama dy ditë më parë deklaroi se ju jeni një opozitë nga halli, pasi opozita zyrtare është Partia Demokratike. Si e lexoni ju këtë deklaratë: nga halli sepse nuk ju bëri pjesë të qeverisë apo pse mund të quheni opozita nga halli?
Sinqerisht, unë kam një komoditet në raport me politikanë të tjerë, pasi formimi im është mjekësia dhe në rastin konkret më lejoni t’ju them që interpretimi i këtyre deklaratave nuk është detyra e imja si politikan, por i kolegëve të mi psikiatër, të cilët sigurisht duhet të thellohen në rastin në fjalë pasi ky rast ka edhe përgjegjësi qeveritare të rëndësishme. Kështu që ta lëmë të gëzojë lajthitjet e tija psikike në paqe, të mos e trazojmë.
Gjithsesi ai është Kryeministër i vendit, ndërsa ju do të jeni në opozitë. A do të ketë tashmë një bashkëpunim normal mes opozitës dhe kësaj qeverie? Më saktë i referohem LSI-së, sepse me z. Basha kreu i qeverisë ka një marrëveshje tjetër?
Ne jemi shumë të qartë në pozicionin tonë. Ne jemi një opozitë e ndershme në radhë të parë me qytetarët, e cila nuk bën asnjëherë Pazar me interesat e tyre. kjo nuk ndryshon dhe nuk ka për të ndryshuar dhe ky pozicion qëndron këtu. Kemi një mazhorancë që ka detyrimin të qeverisë mirë vendin, pasi nuk është pronare e vendit edhe për arsyen sepse vetëm 20 % e qytetarëve e mbështesin. Ka misionin ta drejtojë mirë vendin sepse po drejtoi keq u rrënon jetën 80% të tjerëve dhe këtë detyrë ne do ta kryejmë mirë dhe do ta monitorojmë shumë fortë dhe ne kemi detyrën të bëjmë opozitë. Nuk e di se ç’bashkëpunim mund të ketë në këto çështje.
Në rast se ka një problem madhor që lidhet në radhë të parë me integrimin evropian, që sot është në ditën e vet më të zezë, patjetër që çdo gjë që ka të bëjë me integrimin evropian të vendit do të ketë një mirëkuptim mazhorancë-opozitë. Nuk kemi ndërmend të riprodhojmë modelin e Edi Ramës në vitin 2013, i cili bllokoi të gjitha ligjet e integrimit që Shqipëria të mos ecte përpara, qoftë edhe ligjin “Për nëpunësin civil” etj., etj. Nuk do të jemi ajo opozitë për sa i takon procesit të integrimit. Për të tjerat sigurisht që do të jemi opozitë shumë më e fortë nga të gjitha opozitat që janë bërë deri më tani.
Në qoftë se do të ketë një reformë zgjedhore a do të jeni ju pjesë e kësaj reforme dhe çfarë do të propozoni ju nëse do të ketë ndërhyrje në Kodin Zgjedhor?
Dua të jem i drejtpërdrejtë me ju. Zgjedhjet në Shqipëri nuk i kanë kompromentuar as modelet zgjedhore, as modelet e votimit, as modelet e numërimit. Por i ka influencuar shit-blerja, dhunimi dhe kriminalizimi i votës, të cilat ‘pollën” zgjedhjet e vitit 1996 që ishin zgjedhje të shëmtuara dhe po të njëjtat fenomene ‘pollën’ zgjedhjet e 2017-s. Këtu kërkohet që të ketë një moral të ri, këtu kërkohet një opinion politik i gjerë i cili ta refuzojë një shëmti të tillë, e cila prodhon pushtete diktatoriale dhe asgjë më shumë se kaq. Çështja fillon dhe mbaron këtu. Pastaj Shqipëria i ka provuar të gjitha modelet, si mazhoritar të pastër, mazhoritar të përzier, proporcional, proporcional të korrektuar. Ama gjithmonë çështja duhet ndarë, ka zgjedhje të ndershme dhe korrekte apo ka zgjedhje të kriminalizuara. Kjo është çështje që kemi përpara, së cilës duhet t’i kthejë përgjigje e tërë klasa politike, përfshirë PS, PD, LSI e të gjitha bashkë.
Deputeti i PD-së, Edmond Spaho ka bërë një propozim që mund të ketë një ndërhyrje në Kod për t’i detyruar zgjedhësit të votojnë….
Nuk kam asnjë koment për këtë çështje. Për mua ka vetëm një problem Kodi Zgjedhor, për të cilin së paku Partia Demokratike është përpjekur që të thotë dhe ajo që është në këtë linjë, ku ka afirmuar që zgjedhjet e 2017-s ishin të shitura, të blera, të kriminalizuara dhe të orientuara nga droga. T’i kthejmë një përgjigje të fortë kësaj gjëje dhe çdo fakti që kemi dhe që kemi depozituar në prokurori, duke filluar nga kryefakti që Kryeministri i vendit i kërkoi policisë të hedhe kapelën në tokë dhe të shkojë të kërkojë vota. Të zgjidhim këtë çështje dhe pastaj ka vend për çdo lloj ndryshimi tjetër. Pa i kthyer përgjigje kësaj gjëje, me detyrim apo pa detyrim votat e shitura dhe të blera janë të gjitha njëlloj.
Duket sikur Partia Demokratike ka një strategji të qartë se ku do ta përqendrojë ajo opozitarizmin në këtë sesion të ri. Dhe një nga këto pikat është dekomunistizimi. A do ta mbështesni ju një nismë të tillë?
Nuk e njoh fare strategjinë e opozitës së Partisë Demokratike. Nuk e kam parë gjëkundi një strategji të tillë. Dhe sigurisht që nuk kam asnjë arsye të komentoj asnjë lloj aksioni opozitar të Partisë Demokratike. Është krejtësisht e pavarur të zgjedhë modelet se si ta bëjë. Ka vetëm një kusht simbolik që të bëjmë opozitë të ndershme dhe jo kompromise në dëm të interesave të qytetarëve. Në rast se e bën një opozitë të tillë është shume korrekte në misionin e saj. Pastaj variantet, format apo mënyrat, secila forcë politike është krejtësisht e pavarur t’i zgjedhë si i bën më mirë.
Po ju si LSI e keni tashmë një strategji të qartë opozitarizmi, një aksion me të cilin do të nisë jeta parlamentare?
Opozita jonë ka filluar që të pasnesërmen e zgjedhjeve. Ka pasur një profil të qartë që të jetë shumë e rreptë ndaj çdo veprimi që destrukton shtetin. Kjo do një monitorim të fortë pasi kemi një shpërbërje të shtetit në të gjitha drejtimet. Ka një funksionim shumë të mirë në drejtim të grabitjes së parave dhe është një shtet shembullor në këtë drejtim por në të gjitha gjërat e tjera është një shtet që nuk të thotë asgjë. Kemi një kryeministër që vetëm flet dhe bën demagogji nga ato të pështirat që i kemi parë edhe para vitit 1990 dhe kaq. Strategjia jonë është të monitoruarit fortë të kësaj shpërbërje të përditshme, është një strategji e pandryshuara e jona e cila është në proces dhe ka kohë që ka filluar. Gjatë gjithë kësaj verë, edhe pse parlamenti nuk ka funksionuar këto kohë, me të gjithë format e tjera alternative e kemi opozitën, në radhë të parë kryetarja e LSI-së, znj. Kryemadhi, dhe pastaj të gjithë ne të tjerët. Pra monitorim, stigmatizim dhe propozime alternative. Krijimi i realiteteve fiktive të të shkuarave të largëta, të cilat nuk thonë asgjë, nuk besoj se është opozitë reale.