Një sulm raketor ukrainas ka goditur selinë e flotës ruse të Detit të Zi në Krime.
Ky është sulmi më i fundit i profilit të lartë ukrainas në gadishullin e aneksuar.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se një ushtarak ishte zhdukur si rezultat i sulmit, i cili goditi selinë e marinës në qytetin port të Sevastopol.
Guvernatori i emëruar nga Mokova, Mikhail Razvozhayev, u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë larg qendrës së qytetit ku ndodhet ndërtesa e marinës.
Pamjet e postuara në mediat sociale treguan re tymi të bardhë që ngriheshin nga çatia e selisë së flotës së Detit të Zi. Burimet ruse raportuan se sulmi u krye duke përdorur raketa Storm Shadoë të siguruara nga Britania e Madhe dhe të lëshuara nga avionët ukrainas.
Autoritetet e instaluara nga Rusia thanë gjithashtu se mbrojtja ajrore rrëzoi një tjetër raketë të premten pranë qytetit të Krimesë Bakhchysarai.
Ushtria e Ukrainës konfirmoi të premten se forcat e saj kishin goditur “me sukses” selinë e marinës ruse të Detit të Zi në portin e Krimesë të Sevastopolit, pa dhënë detaje shtesë.
Menjëherë pas sulmit, Oleksiy Danilov, sekretari i këshillit të sigurisë të Ukrainës, shkroi në Twitter, se “flota ruse e Detit të Zi do të copëtohet.
“Ka dy opsione për të ardhmen e flotës ruse të Detit të Zi: vetë-neutralizimi vullnetar ose i detyruar,” shkroi Danilov.
Më vete, Oleg Kryuchkov, një zyrtar i administratës së Krimesë, tha se ofruesit e shërbimeve të internetit në gadishull ishin nën një “sulm kibernetik të paprecedentë”, duke çuar në ndërprerje në shërbim.
Në javët e fundit, Ukraina ka rritur ndjeshëm ritmin e sulmeve ndaj Krimesë, ndërsa kërkon të shkaktojë goditje strategjike dhe simbolike kundër trupave ruse që aneksuan ilegalisht gadishullin në 2014.
Të mërkurën mbrëma, zyrtarët ukrainas thanë se forcat e vendit kishin goditur një bazë të madhe ajrore ushtarake pranë qytetit të Saky në Krime.
Javën e kaluar, një sulm me raketa ukrainase në një kantier detar në Sevastopol dëmtoi rëndë dhe ndoshta shkatërroi një anije zbarkimi ruse dhe një nëndetëse të klasit Kilo.